Lajme

Filologjiku i rikthehet mësimit, por do protestojë një ditë të javës

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Sabri Laçi, në një dalje për mediat ka zbuluar vendimet e mbledhjes së jashtëzakonshme nga personeli i FHF-së.
Ai u shpreh se nga java e ardhshme do të ketë një ditë protestë në javë sipas një kalendari deri në plotësimin e kërkesave të tyre, kryesorja shfuqizimi i ligjit të arsimit të lartë.
“Asambleja e pedagogëve është thirrur për situatën e krijuar në Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe përgjithësisht në arsimin e lartë, në institucionet publike të arsimit të lartë në Shqipëri. Meraku i të gjithëve ishte dhe mbetet sesi do të dilet nga kjo situatë, si do të reagojnë në vijimësi profesorati dhe institucionet drejtuese. U diskutua për gati një orë e gjysmë dhe dolën një sërë propozimesh. Asambleja ishte unanime në vendimmarrjen e sotme. U vendos që kjo javë të shpallet javë proteste nga stafi akademik i Historisë dhe Filologjisë dhe në vijimësi në javët që vijnë, protesta do të vijojë një ditë në javë sipas një kalendari, javën e parë të hënën, të dytën të martë, etj. Qëllimi i kësaj proteste do të jetë ndërgjegjësimi për gjithë problematikën e gjerë që ka arsimi i lartë në Shqipëri”, tha ndër të tjera dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.
Dekani i Fakultetit po ashtu deklaroi se nuk ka kërkesë nga studentët për të rifilluar mësimin.
“Studentët janë të ndarë në kategori, ka një pjesë që vijojnë protestën duke qëndruar stoikë, duke protestuar në forma qytetare. Ne i kemi të lavdërueshëm studentët, pa krijuar incidente, po protestojnë në mënyrë qytetare. Ka një kategori që janë në shtëpi dhe nuk arrijnë ta përballojnë jetën në Tiranë, ata presin që të reagojë qeveria, që të ndiejnë efektin e zgjidhjes me akte konkrete dhe zgjidhja duhet të jetë, të përjetohet. Nuk kam asnjë kërkesë nga studentët për të rifilluar mësimin, po ka studentë që duan të bëjnë”, përfundoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë