Presidenti UEFA-s, Aleksandër Ceferin, i cili pritet të rikonfirmohet në krye të “qeverisë” së futbollit europian, ka hedhur poshtë propozimet e FIFA-s për krijimin e një kompeticioni të ri për klubet, si dhe zgjerimin e numrit të skuadrave në Botërorin e Katarit.
Aleksandër Ceferin është kandidati i vetëm për të drejtuar UEFA-n dhe në kongresin e Romës, që zhvillohet të enjten, ai do të konfirmohet në krye të saj. Janë disa sfida për t’u përballuar në futbollin ndërkombëtar dhe Ceferin i ka idetë të qarta, sidomos për krijimin e Superligës, kompeticionit të tretë për klube, i propozuar nga Infantino: “Superliga do ta vriste futbollin dhe do të ishte shumë e mërzitshme të shikonim PSG-Juventus çdo javë”, – ka thënë Ceferin për këtë temë, duke e prerë shkurt se është krejtësisht kundër një kompeticioni të tretë për klubet.

Divergjencat me FIFA-n janë parë qartë së fundi edhe në lidhje me idenë e Infantinos për ta zgjeruar Botërorin e Katarit, që zhvillohet në vitin 2022, me 48 skuadra. Në një intervistë për “Le Monde”, Ceferin është shprehur: “Katari nuk mund ta organizojë vetëm Botërorin me 48 skuadra dhe nuk ka raporte të mira politike me vendet fqinje. Duhet të mbështetet nga një vend tjetër dhe për këtë duhet bërë një garë tjetër. Duke ditur që Botërori do të zhvillohet në dhjetor, do të thotë se u duhen hequr më shumë data ndeshjesh kampionateve kombëtare, sidomos në Europë. Nuk mendoj se kjo gjë është e realizueshme”. Digjet kështu plani i Infantinos për një Botëror të ri klubesh: “Është një projekt prej 25 miliardë dollarësh, për të cilin nuk dimë asgjë, i financuar nga një fond i huaj që nuk i dihet emri. Duam të dimë se kush është prapa. Futbolli nuk është në shitje”, – ka shtuar Ceferin.
Presidenti i UEFA-s prek më tej edhe tema të tjera: “UEFA dhe futbolli në përgjithësi, kur erdha unë, kishin njolla. Kemi vendosur për limitin e mandateve dhe kemi një komitet më solid, proceduara transparente për gjithçka. Platini? Ka qenë një president i mirë, një superstar me karizmë. Unë nuk jam shumë i ekspozuar, njerëzit më njohin më pak. Kur u zgjidha president, Europa e futbollit kishte nevojë për një avokat, gjithçka ishte rrëmujë dhe perceptimi i njerëzve ishte: ‘janë të gjithë të korruptuar’. UEFA është një organizatë e pastër dhe transparente, sepse kohët kanë ndryshuar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje