Futboll

E gjitha bota vajton për Emiliano Sala, por ka edhe polemika

Policia e Dorset ka konfirmuar me një njoftim zyrtar se trupi i gjetur në brendësi të avionit të rrëzuar në kanalin e Lë Manshit është ai i futbollistit Emiliano Sala. Mesazhe ngushëlluese nga e gjitha bota e futbollit për humbjen tragjike të jetës së argjentinasit që po fluturonte me një avion privat nga Nanta drejt Kardifit. Shumë klube dhe futbollistë të njohur kanë shprehur ngushëllimet e tyre me anë të rrjeteve sociale. Nga ana tjetër, vazhdojnë polemikat mes Nantës dhe Kardifit, pasi francezët kërkojnë 15 milionë sterlinat, sipas akordit që kishin arritur.

Identifikimi i trupit të gjetur brenda avionit të rrëzuar është bërë sipas procedurave të rastit dhe pasi ka rezultuar të jetë ai i Emiliano Salës, autoritetet kanë bërë të ditur lajmin dhe kanë njoftuar familjen e futbollistit. Ka pasur shumë vështirësi për nxjerrjen e trupit të sulmuesit nga 63 metra thellësi, për shkak të kohës së keqe. Avioni privat me të cilin po fluturonte Sala, është gjetur ditën e diel, falë kërkimeve private të familjes së tij, e ndihmuar nga shumë fonde të mbledhura brenda pak ditësh, që i kalonin 350 mijë eurot. Për momentin nuk ka asnjë lajm për pilotin David Ibbotson.

Policia transporton trunin e Sala, pas nxjerrjes nga fundi i detit

Pas lajmit zyrtar të policisë, bota e futbollit ka shpërthyer me mesazhe ngushëllimi dhe solidarizimi. Klube nga e gjitha bota kanë ngushëlluar familjen e sulmuesit. Po ashtu, edhe shumë futbollistë të njohur nga e gjithë bota. Mesut Ozil ka shkruar në Tuiter: “Nuk ka fjalë për ta përshkruar sa e trishtë është”. “Një lajm i tmerrshëm. Prehu në paqe!” – shkruan Serxhio Aguerro. Mbape, Gervinjo, Kasilas dhe shumë të tjerë kanë postuar mesazhe ngushëllimi.

Postimi Barcelonës për Sala

Por ngjarja e trishtë ka sjellë edhe polemika. Sipas BBC-së, drejtuesit e klubit të Nantës kanë kontaktuar me Kardifin për 15 milionë stërlinat, që klubi britanik duhet të paguajë sipas marrëveshjes. Tani pritet që gjithçka të zgjidhet pas një beteje ligjore, edhe pse klubi nga Uellsi ka deklaruar se do ta respektojë marrëveshjen, por pasi të jetë zbardhur gjithçka për atë që ka ndodhur.

Ajo që ka kërkuar drejtësi me forcë është ish e dashura e sulmuesit, e cila pak ditë më parë foli për një lidhje të aksidentit me “mafien e futbollit”. Me anë të profilit të saj në Instagram, Berenice Schkair, ka kërkuar sërish sqarime. “Gjithmonë pranë teje… Nuk do të lëmë kurrë vetëm. Drejtësi për Emiliano Sala!” – shkruan ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë