Futboll

Brazil, zjarr në qendrën sportive të Flamengos. Të paktën 10 të vdekur

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Brazil, në qendrën sportive të Flamengos, ku një zjarr i fuqishëm ka djegur dhe shkatërruar një pjesë të mirë të kësaj qendre dhe deri tani u ka marrë jetën të paktën 10 personave, ndërsa 3 të tjerë janë të plagosur, njeri prej tyre në gjendje të rëndë. Ky është bilanci paraprak i kësaj tragjedie.

Në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte, sipas medieve lokale në Brazili, një zjarr i fuqishëm ka përpirë qendrën stërvitore të klubit nga Rio de Zhaneiro. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me shpejtësi për të shuar flakët, por ka qenë shumë e vështirë për të shpëtuar jetën e njerëzve të pranishëm në ato momente. Qendra sportive shërben edhe për grumbullimin e ekipeve të moshave të Flamengos. Sapo është mësuar lajmi, në rrjetet sociale kanë ardhur reagimet e menjëhershme, sidomos të atyre që e njohin më mirë se të tjerët këtë qendër sportive, si për shembull Vinicius: “Çfarë lajmi i trishtë! Lutemi për të gjithë… Forca! Forca!” – shkruan braziliani i Realit.

Ndërkohë ka filluar identifikimi i viktimave të kësaj ngjarje. Mes personave që kanë ndërruar jetë, janë 4 futbollistë nga akademia e Flamengos të moshës nga 14 deri në 17 vjeç. Sakaq ende pritet një informacion më i qartë nga autoritetet lokale në lidhje me gjendjen e të plagosurve dhe shkaqet e rënies së zjarrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë