Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve Besa Shahini dhe deputeti Niko Peleshi, ka komentuar nga Korça protestën e paralajmëruar të pedagogëve. Kryeministri u shpreh që duhen ndarë pedagogët e nderuar nga ata “sharlatanë”. Madje, kreu i qeverisë u ka thënë studentëve të pranishëm në takim që një herë në vit duhet të bëjnë një vlerësim për pedagogët.
“Janë mbledhur disa pedagogë që duan abrogimin e ligjit dhe thonë të ndalet denigrimi i profesorëve, kush po i denigron? Puna është të ndahen pedagogët e nderuar nga sharlatanët që nën emrin e pedagogut janë një nga simptomat më domethënëse të sëmundjes së brendshme të universitetit. Ne duam që një herë në vit të bëni vlerësim për pedagogët sepse nëse nuk e bëni pedagogët sharlatanë që i kishit ju në qafë, do ua lini në qafë atyre që do vijnë pas jush”, u shpreh Rama.
Më tej, kryeministri Rama u shpreh se duhet të dialogohet më tepër lidhur me “Paktin për Universitetin”, pasi sipas tij vetëm përmes bashkëbisedimit mund të arrihen rezultate.
“’Pakti për Universitetin’, unë e kam thënë që ditët e para, duhet të flasim. Kjo gjë është shumë përtej asaj që duket dhe këto pika janë të pamjaftueshme. Nëse nuk flasim, rrezikojmë të zhbëjmë potencialin e protestës studentore. Deri më tani vetëm nga komunikimi kemi bërë shumë përmirësime të vendimeve, sepse në momentin zero ka pasur lloj-lloj kategori studentësh që s’i kemi marrë parasysh sepse kërkesa ka qenë tepër e përgjithshme”, u shpreh Rama, duke theksuar faktin se “Pakti për Universitetin” duhet të implementohet deri në fund.
Kreu i qeverisë nuk la pa përmendur edhe vendet e punës në administratë për studentët ekselentë. Sipas Ramës, vendet e hapura do të jenë 800 dhe pritet të plotësohen në vijim.
“Janë 900 aplikime për 800 vendet e para të shpallura, janë mbi 400 që janë kualifikuar. Ndërkohë që kemi ngritur grupe të përbashkëta mes ministrive për të adresuar nevojat në infrastrukturë”, tha ndër të tjera kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje