Futboll

Partizani për shkëputjen e madhe, Tirana ka “frikë” nga Kukësi

Tani gara në Superiore nis të bëhet shumë më e fortë dhe të gjitha skuadrat e dinë se çdo gabim i vogël mund të ketë kosto të lartë, sepse kampionati po hyn në fazën, ku nuk ka kohë për rikuperim. Llogaritë bëhen me laps në dorë, në varësi të kundërshtarit, por edhe në kombinim me rezultatet e rivalëve. Ka nisur “lufta e ftohtë” ndërkohë mes rivalëve për titull. Batuta dhe kunja në distancë, siç ka ndodhur së fundi me Shametin e Kukësit dhe Hoxhën e Partizanit. Diçka normale në këtë moment.

Partizani zbret i pari në fushë, duke ngritur siparin e javës së 21-të të Superiores. Të kuqtë presin Kastriotin e rilindur pas dy fitoreve radhazi, me Luftëtarin në transfertë dhe Skënderbeun në fushën e tij. Trajneri Skënder Gega e di shumë mirë se ndeshje të tilla nuk janë aspak të lehta, edhe pse mund të duket se Partizani i ka në “xhep” tri pikët. Ai pret që skuadra të tregohet profesioniste në fushë, duke dhënë maksimumin, për të pritur më pas e qetë ndeshjet e rivalëve. Partizani është 5 pikë para Kukësit dhe nëse fiton sot, shkon 8 pikë para dhe e vë më shumë në presion kundërshtarin, që ka një ndeshje të vështirë këtë javë me Tiranën.

Partizani, duke festuar në gol të Jurgen Bardhit

Dhe pikërisht për këtë ndeshje ka pasur edhe polemika. “Dashuria” e ngjizur pak sezone më parë, e tipit “më jep, të jap”, është harruar. Drejtuesit e Tiranës, ndoshta duke e ditur shumë mirë “rrezikshmërinë” e Kukësit edhe jashtë fushe, kanë kërkuar arbitra me stemën e FIFA-s për ndeshjen që do të luhet të dielën në stadiumin e Kamzës. Ata i druhen jo pak Kukësit dhe duan që të paktën të mos penalizohen nga gjykimi dhe të marrin atë që do të japin në fushë. Kjo ndeshje është më e rëndësishmja e kësaj jave dhe pritet me më shumë interes.

Të dielën luhen edhe ndeshjet Luftëtari-Flamurtari dhe Teuta-Kamza. Ndeshje të rëndësishme për zonën europiane të renditjes, por edhe për mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Teuta, pas dy barazimeve radhazi, nuk mund t’ia lejojë vetes një gabim të tretë, aq më tepër që luan në fushën e saj. Flamurtari, pas humbjes në shtëpi me Kukësin dhe eliminimit dramatik nga Kupa e Shqipërisë, do të përpiqet të reagojë në Gjirokastër, ku trajneri Julian Ahmataj kërkon fitoren e dytë në po kaq ndeshje në krye të Luftëtarit. Java mbyllet me ndeshjen Skënderbeu-Laçi, që luhet ditën e hënë në stadiumin e Korçës. Korçarët duhet të ndërpresin me çdo kusht serinë e humbjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë