Lajme

Maratona “Tahiri” drejt fundit. Zbulohen fanset e veçanta

Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e ish-ministrit Saimir Tahiri, duke i vendosur kohë prokurorisë deri më 10 mars për të vendosur përfundimisht nëse do kalojë në gjykim apo do mbyllen hetimet.
Pasi ka dalë nga gjykata, ish-ministri në një prononcim për mediat është shprehur se kësaj maratone po i vjen fundi dhe se prokurorët do të kenë kohë deri më 10 mars që të mbyllin hetimet.
“Akuza të padrejta dhe skandaloze ndaj meje. I falënderoj të gjithë pa masë që më kanë treguar që ia vlen të presësh për atë ditë që vjen drejtësia.
Për mua ka rëndësi drejtësia dhe që kësaj maratone t’i shkojmë më në fund drejt finishit”, u shpreh ai në një prononcim të shkurtër për mediat.
Pyetjes se nëse do t’i rikthehet sërish politikës ai tha se “ka kohë për të gjitha”.
Një javë më parë, seanca u shty pasi prokuroria nuk kishte paraqitur prova për zgjatjen e hetimeve.
Jashtë sallës së gjyqit, ka rënë në sy prania e disa fanseve të veçanta të ish-ministrit me bluza të stampuara me portretin e tij.

Kujtojmë se pas seancës së shkuar, Tahiri akuzoi se kjo situatë ka kaluar çdo limit të pranueshëm.
“Nuk më ka humbur durimi, kam një vit e disa muaj që pres pa komentuar veprimet e Prokurorisë. Pres që t’i shkoj Drejtësisë deri në fund, pa bërë siç kanë bërë të tjerët që janë akuzuar për vjedhje dhe për vrasje. Por çdo gjë e ka kapërcyer çdo limit të pranueshëm. Kjo mjegullnajë dyshimesh nuk mund të vazhdojë më. Pavarësisht se hetimet janë zgjatur 5 herë, nuk kam folur, por tani po kërkoj që kjo mos ndodhë më. Çështja duhet të marrë zgjidhje në një mënyrë dhe një tjetër. Drejtësia e vonuar nuk është më drejtësi. Kur kjo ndodh me mua, imagjino për të tjerët që s’kanë mundësi që përplasen dyerve të gjykatave dhe s’kanë mundësi të thonë gjë”, ka thënë Tahiri.
Saimir Tahiri ka qenë në hetim nga prokuroria italiane prej datës 27 tetor 2017 me akuzën e trafikut të drogës mbi bazën e përgjimeve të çështjes Habilaj. Në përgjime flitej për 30 mijë euro që grupi Habilaj kishte për t’i dhënë një personi me emrin Saimir dhe bizhuteri gruas së tij. Pas hetimeve prej më shumë se një viti prokuroria italiane nuk gjeti prova që implikojnë ish-ministrin shqiptar të Brendshëm, duke kërkuar arkivimin ose mbylljen e çështjes, ndërsa në Shqipëri vijon që të jetë ende në hetim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë