Lajme

“Dajti”, Gjonaj: Të shkarkohen tre gjyqtarët. PD: Mos u tallni me dëshmorët

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i ka kërkuar sot përmes një deklarate për shtyp Këshillit të Lartë Gjyqësor ndëshkimin e tre gjykatësve, të cilët bënë kalimin e vendimit për Dritan Dajtin nga burgim i përjetshëm në 25 vite heqje lirie për akuzën e vrasjes së 4 policëve në 2009.
“Jam sërish këtu para jush për të folur ndaj vendimit të paprecedent të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda ndaj shtetasit Dritan Dajti. Ministria e Drejtësisë ka kryer të gjitha verifikimet paraprake. Nga verifikimet rezulton se tre anëtarë nga pesë gjithsej kanë vendosur uljen e dënimit me 25 vite”, u shpreh Gjonaj.
Ministrja u tregua besimplotë se KLGJ-ja do të veprojë në kohë ndaj tre gjyqtarëve, të cilët sipas saj, kanë kryer një akt të paprecedent me vendimin e marrë.
“Për këtë arsye i jam drejtuar KLGJ për marrjen e vendimit të shkarkimit të tre gjyqtarëve. Jam besimplotë se KLGJ-ja do të veprojë shpejt për procedimin disiplinor. Reagimi i qeverisë nuk ndalet as këtu, por edhe as me kaq”, tha ndër të tjera ministrja Gjonaj.

Ndërkohë, kërkesën e ministres Gjonaj për procedim disiplinor të gjyqtarëve Partia Demokratike e cilëson si një tallje të qeverisë me 4 policët e vrarë. Sipas opozitës, parashikimet ligjore për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ekzistojnë.
“Qeveria vazhdoi talljen e pacipë dhe të pamëshirshme me 4 Dëshmorët e Atdheut, të vrarë në krye të detyrës nga krimineli Dritan Dajti, për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, se vendimi në favor të Dritan Dajtit është prodhim i Edi Ramës.
Është në detyrën e Partisë Demokratike të informojë opinionin publik se parashikimet ligjore për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që citoi sot Ministrja e Drejtësisë, nuk ekzistojnë”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.
Ndër të tjera, Partia Demokratike i bën thirrje ministres që të mos tallet më me shqiptarët kur mungon ligji për shkeljen disiplinore, por t’u tregojë shqiptarëve se me kë komunikon Dritan Dajti dhe kush i dalë garant për lirimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë