Lajme

Soreca: Konfiskoni paratë e ardhura nga krimi i organizuar

Në aktivitetin “Për një Shqipëri pa kanabis” që u organizua sot paradite ambasadori i delegacionit të BE-së, Luigi Soreca nënvizoi sërish nevojën që sekuestrimet e parave të ardhura nga krimi i organizuar të konfiskohen.
“Krimi i organizuar transkombëtar është kërcënim për sigurinë tonë dhe duhen luftuar në mënyrë të përbashkët.
Parimi ndiq paranë është thelbësor për të ndërprerë aktivitetin e krimit të organizuar, por sekuestrimi duhet të ndiqet nga vendime përfundimtare të konfiskimit të aseteve kriminale.
Kultura e imunitetit që ka dominuar për shumë e shumë kohë ka nisur të ndryshojë kjo në sajë të reformës në drejtësi dhe krijimit të një gjyqësori të pavarur dhe profesional e institucioneve të prokurorisë. Rezutlatet e sotme të luftës kundër kanabisit duhet të ruhen dhe në muajt e vitet në vijim sepse droga është një kërcënim që ndryshon nga hera”, është shprehur ambasadori i BE-së.
Ndërkohë, e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së në Shqipëri, Leyla Moses – Ones ka përgëzuar Shqipërinë për arritjet në betejën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, por kërkoi që lufta të vijojë.

“Sot është e qartë se është më e vështirë të kultivosh dhe trafikosh kanabis në Shqipëri, sesa ka qenë dy vite më parë. Por lufta duhet të vijojë. Tani duhet të vendosen pengesa më të forta për të ndaluar që trafikantët e drogës. Ruajtja e vrullit për reformën në drejtësi është absolutisht vendimtare. Trafikantët duhet të përballen me drejtësinë, dënim i duhur me burgim. Njerëzit që drejtojnë këto rrjete duhet të frikësohen shumë. Kapja e Klemend Balilit, Arbër Çekajt dhe Met Kananit duhet të shërbejnë në këtë përpjekje afatgjatë. Tani është në dorë të prokurorëve dhe gjykatave dhe sigurisht vullnetit politik”, është shprehur ajo.
Gjithashtu, Leyla Moses – Ones tha se SHBA do të vijojë që të mbështesë krijimin e SPAK-ut.
“Ne nuk mund ta duam këtë më shumë se ju. SHBA janë me ju hap pas hapi, por varemi nga vullneti juaj politik. Ne do mbështesim krijimin e SPAK-ut për të siguruar që politika të mos luajë më një rol në mbështetje të këtij aktiviteti të paligjshëm dhe të mos përmbysë peshoren e drejtësisë në interes të kriminelëve. Tani duhet ët sekuestrohet pasuria e kriminelëve”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë