Futboll

Nga selfiet te burgosja e fantazisë, Boban tregon problemet e futbollit

Zvonimir Boban, një emër i madh i futbollit kroat, i cili në Itali la gjurmë me Milanin, që prej 30 majit të 2016-ës mban postin e zëvendëssekretarit të përgjithshëm të FIFA-s. Ai është përgjegjës për sektorin e zhvillimit të futbollit dhe organizimit të kompeticioneve. Së fundi Boban ka dhënë një intervistë për “Soccer Illustrated”, ku ka folur për ndikimin e futbollit te njerëzit dhe problemet e këtij sporti sot, veçanërisht në Itali.

“Futbollistët janë ende idhujt e tifozëve, kështu që kanë përgjegjësinë të luajnë mirë, të impenjohen maksimalisht dhe të sillen në mënyrë korrekte, të japin gjithmonë gjithçka kanë, në respekt të tifozëve. “Selfie”-t nuk kanë marrë vendin e autografeve. Problem nuk janë “selfie”-t me futbollistët, por “selfie”-t gjatë ndeshjes, që do të thotë se njerëzit nuk po e shohin atë. Dhe kjo gjë më bën të nervozohem! Ky është problemi, sepse futbolli kalon në plan të dytë. Ka njerëz që mendojnë se janë ata aktorët e parë në stadiume, ndërkohë që aktorët kryesorë duhet të jenë futbollistët dhe loja e bukur. Pa kulturën e futbollit të luajtur, po humbin esencën e kësaj loje fantastike. Gjithçka duhet të nisë nga topi që rrotullohet në fushë”, – është shprehur Boban për mënyrën si po përjetohet futbolli sot.

Fantazisti kroat, Zvonimir Boban, kur luante me Milanin

Më tej, ish-fantazisti i Kroacisë dhe Milanit ka folur edhe për mungesën e talenteve në Itali: “Drejtuesit e klubeve duhet të ulen në një tavolinë të gjithë bashkë, të diskutojnë dhe të kuptojnë pse nuk po dalin më talente. Pas Pirlos nuk kam parë më talente dhe kjo është diçka e rëndë për popullin italian, që është mësuar të shohë talente me shumicë. Futbolli italian ka një problem serioz në sektorin e të rinjve prej vitesh. Objektivi duhet të jetë përgatitja e futbollistëve të një niveli të lartë, për skena të mëdha të futbollit botëror. Për këtë duhet kohë, ndaj them se është një problem i madh.

Talenti duhet lënë i lirë, nuk trajtohen të gjithë në të njëjtën mënyrë. Duhet një tjetër sy për dikë që ka talent. Nëse burgoset fantazia dhe nuk lejohet driblimi, do të ketë rezultate te të rinjtë, por nuk do të kemi kurrë futbollistë të mëdhenj. Këto janë problemet e thjeshta të futbollit italian dhe aty duhet ndërhyrë. Nëse klubet do të ketë administratorë që vijnë nga bankat apo kompanitë e mëdha, sistemi nuk do të ndryshojë kurrë”. Një mesazh shumë i qartë nga i madhi Zvonimir Boban.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë