Futboll

Ergys Kaçe trondit Olimpiakosin, perlë e mesfushorit kuqezi


Minuta e 62-të e ndeshjes dhe në “Karaiskaki” të Pireut pllakos heshtja. Një shqiptar, Ergys Kaçe, shënon një eurogol me plot kuptimin e fjalës. Futbollisti korçar i Kombëtares kuqezi ka bërë një veprim të shkëlqyer teknik dhe ka realizuar një gol të rrallë. Pas një kontrolli të bukur të topit, Kaçe ka gjuajtur befasisht në mënyrë spektakolare dhe 0-1 për Panathinajkosin. Një kryevepër e mesfushorit shqiptar që më pas është shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale.

https://youtu.be/0wC8SnAFrjM
Supergoli i Ergys Kaçes

Kaçe mund t’i kishte dhënë fitoren Panathinajkosit në derbin e Greqisë me Olimpiakosin, që i shpëtoi disfatës me golin e Sise në minutën e pestë shtesë. Gjithsesi, barazimi 1-1 në fushën e Olimpiakosit është një rezultat i mirë për skuadrën e Erges Kaçes, që mban vendin e gjashtë në klasifikim. Korçari është titullar te Panathinajkosi, ku ka kaluar nga PAOK-u.

Mesfushori vjen në grumbullimin e Kombëtares në një formë shumë të mirë sportive dhe plot besim pas këtij goli. Këtë fundjavë kanë shënuar edhe disa kuqezinj të tjerë si Berat Gjimshiti dhe Eros Grezda, por goli i Kaçes është i veçantë për nga mënyra e ekzekutimit. Pozitiv është fakti që trajneri Panuçi i ka në formë lojtarët para ndeshjeve me Skocinë dhe Uellsin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë