Gazeta Si – Me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave, Ministria e Brendshme ka mbyllur këtë të martë pas disa orësh intervistat me 14 kandidatët e përzgjedhur për kreun e Policisë së Shtetit pak javë pa shkarkimit të Ilir Prodës.
Gjatë fazës së intervistimit, procesi është ndjekur nga afër dhe nga Ngarkuara me Punë e SHBA-ve në Tiranë, Nancy Van Horn, e cila është takuar me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari.
Komisioni i përbërë nga kryetari, një zv.ministër i Brendshëm dhe nga dy anëtarë, sekretarja e përgjithshme ministrisë dhe drejtori i AMP, pasi dëgjuan platformat e kandidatëve i drejtuan edhe pyetje.
I pari që u paraqit para komisionit ishte drejtori aktual i policisë së Durrësit, i cili u pasua nga kandidatët e tjerë si Alfred Çepe dhe Arjanit Arapi.
I katërti ishte Elidon Çela drejtori aktual i policisë së Vlorës, i cili vlerësohet si një kandidat potencial për të marrë drejtimin e policisë së Shtetit.
Konkursi vijoi me kandidatët Gentian Berberi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lorenc Panganika dhe Neritan Nallbati.
I dhjeti në listë sipas rendit alfabetik ishte kandidati Pëllumb Seferi, drejtori i departamenit të Marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili vlerësohet si një nga figurat më të pastra në polici dhe i preferuari i ndërkombëtarëve.
Intervistat vijuan më pas më kandidatët, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku dhe Skënder Hitaj. I fundit që dha intervistën ishte ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.
Procesi pati edhe vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, ku seancat dëgjimore u ndoqën ICITAP dhe EU4LEA.
Gjithashtu gjatë kohës që zhvilloheshin intervistat, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Nancy VanHorn u prit nga ministri Besfort Lamallari.
Gjithashtu edhe përfaqësues të ambasadës britanike shkuan në ministri. Në fund të këtij procesi, brenda 48 orëve, pra deri më datë 26 mars, Komisioni i Posaçëm do të bëjë vlerësimin e kandidatëve me pikë dhe do t’i dorëzojë në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar.
Më pas ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave emrin e kandidatit më të vlerësuar dhe vendimi i qeverisë për miratimin e emrit do të merret në mbledhje qeverie.
Në total vlerësimi i tyre ka 100 pikë. Ku vlerësimi profesional ka 30 pikë maksimale, vlerësim moral dhe integriteti ka 10 pikë, vlerësimi organizativ dhe drejtues ka 50 pikë dhe element shtesë në vlerësim si gjuhët e huaja dhe titujt akademikë kanë 10 pikë.
Posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policia e Shtetit mbeti vakant pas dorëheqjes së Ilir Proda, ndërsa aktualisht detyrën e mban i komanduar Sokol Bizhga.
Ish-kreu i Policisë Ilir Proda qëndroi në këtë detyrë 17 muaj. Ai u largua pas protestës së 28 shkurtit, për shkak se nuk arriti të garantonte rendin dhe sigurinë, pasi protestuesit e opozitës arritën të hyjnë në ‘zemrën’ e qytetit, në zonën e ish-Bllokut dhe goditën me molotovë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, brenda së cilës gjendeshin disa artistë të huaj.
Kush janë 14 kandidatët në garë për kreun e Policisë së Shtetit
Afrim Tafa
Alfred Çepe
Arjanit Arapi
Elidon Çela
Gentjan Berberi
Gentjan Shehaj
Idajet Faskaj
Lorenc Panganika
Neritan Nallbati
Pëllumb Seferi
Rebani Jaupi
Saimir Boshnjaku
Skënder Hita
Tonin Vocaj
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje