Politike

‘Homeland Justice’ sulmon administratën e Kuvendit: Jemi më afër jush sesa mendoni

Nga Gazeta ‘Si’- Administrata e Kuvendit është përballur me një sulm kibernetik në sistemin IT.

Siç mësohet, grupi famëkeq i Homeland Justice është rikthyer në Telegram me postime kërcënuese.

“Të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice. Ne jemi shumë më afër jush Hackerat iranianë sulmojnë faqen e Kuvendit. A i keni mbrojtur me të vërtetë ata vrasës dhe vrasës fëmijësh? Ne do të bëjmë që ky turp të mbetet me ju përgjithmonë”, paralajmërojnë në rrjetet sociale, teksa kanë publikuar edhe adresa emaili të deputetëve.

Pas këtij sulmi, është mbledhur Komiteti për Sigurinë Kibernetike.

Kuvendi ka reaguar pas sulmit kibernetik duke thënë se mbrëmjen e djeshme ishte konstatuar mungesa e disa infomacioneve dhe aksesi i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit ndërkohë që infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur.

“Gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës”, thotë Kuvendi.

Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme.

Hera e fundit që u raportua një sulm nga hakerat (me mbështetje nga Irani) ishte në qershor të vitit të shkuar, kohë kur nxorrën jashtë funksionit faqen e Web-it të bashkisë Tiranë.

Kujtojmë se në vitin 2022, disa grupe të sofistikuara hakerash mbështetur nga shteti i Iranit sulmuan shërbimet online në Shqipëri.

Këto u bënë shkak që qeveria shqiptare të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit duke dëbuar përfaqësinë diplomatike që ndodhej në Shqipëri, si përgjigje ndaj sulmit kibernetik.

Ndërkohë sulmet e “Homeland Justice” kanë vijuar edhe ndaj Kuvendit si dhe disa institucioneve  të rëndësishme shtetërore në vitin 2023 dhe ndaj INSTAT në vitin 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë