Sa i rëndësishëm është defibrilatori në fushat e futbollit? Më mirë se kushdo tjetër e di David Zhinola, ish-lojtari i njohur i Totenhemit dhe Njukasëllit, sepse prej kësaj pajisje të emergjencës jeton ende. Ai është goditur nga një atak kardiak dy vite më parë, por ka qenë me fat, sepse në atë fushë kishte defibrilator (elektroshok). Historinë dramatike të ish-futbollistit francez e sjell britanikja “Mirror”, që tregon gjithçka me detaje.
Zhinola ka qenë klinikisht i vdekur për tetë minuta, pasi është goditur nga një atak kardiak gjatë një ndeshjeje bamirësie futbolli në maj të vitit 2016. Është ende gjallë, sepse defibrilatori i mundësoi në atë moment të mbante aktive rrugët celebrale dhe të stabilizonte ritmin e rrahjeve të zemrës. Një histori e zbuluar dy javë pas problemeve serioze shëndetësore që shfaqi ish-futbollisti anglez, Glen Hodëll, i cili u ndje keq në studiot e “BT sport”, para se të niste programin e tij.

Episodin e ka treguar vetë Zhinola për prestigjiozen angleze: “U ndjeva keq, po më merrej fryma dhe më pas u rrëzova në fushë. Ishte një situatë shumë e frikshme, pasi nuk kisha ndjerë asgjë më parë, asnjë shqetësim”, – thotë francezi, i cili në ato momente nuk merrte frymë dhe gjuha i kishte ikur brenda. “Dikush në atë fushë, falë Zotit, ishte në gjendje të përdorte pajisjen jetëshpëtuese. Vetëm dy persona nga 15 që ishin prezentë, dinin ta përdornin dhe falë tyre jam gjallë”, – shpjegon Zhinola.
Shumë vende e kanë të vendosur me ligj që në çdo impiant sportiv duhet të ketë një defibrillator gjysmë automatik, ose të një teknologjie më të avancuar. Gjatë ndeshjeve duhet të jetë një person i trajnuar për përdorimin e pajisjes jetëshpëtuese, sepse, siç e tregon Zhinola nga përvoja personale, nuk dihet asnjëherë kur ndodh ajo gjendje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje