Ekonomi

Informaliteti në turizëm i kushton buxhetit të shtetit deri në 120 mln euro në vit

Nga Gazeta ‘SI’ – Informaliteti në turizëm gjatë sezonit të fundit i ka kushtuar buxhetit të shtetit deri në 60 milionë euro, i nxitur kryesisht nga zgjerimi i qirave afatshkurtra private dhe shërbimeve të tjera që operojnë jashtë sistemit formal.

Një studim i publikuar nga qendra ALTAX, tregon se, pavarësisht rritjes së fortë të fluksit të turistëve dhe të ardhurave nga turizmi, një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit ekonomik në këtë sektor mbetet e padeklaruar, duke krijuar humbje fiskale, konkurrencë të pandershme për bizneset e regjistruara dhe shtrembërime në tregun lokal të akomodimit dhe shërbimeve turistike.

Sipas studimit, tregu që ndikohet më drejtpërdrejt nga informaliteti është ai i akomodimit. Opsionet informale, që zakonisht ofrohen me çmime më të ulëta, u shkaktojnë strukturave të licencuara një humbje deri në 28% të qarkullimit potencial. Në disa destinacione turistike si Saranda dhe Himarë, humbjet sezonale për një hotel mesatar mund të arrijnë 80–150 mijë euro në vit.

Lexo edhe:

Të dhënat zyrtare nga INSTAT në turizëm tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar rreth 7.14 milionë netë qëndrimi të vizitorëve jo-rezidentë në strukturat e licencuara të akomodimit. Ndërkohë, platforma ndërkombëtare AirDNA, e cila monitoron aktivitetin në Airbnb dhe platforma të ngjashme, identifikon rreth 2.36 milionë netë qëndrimi vetëm në listimet e regjistruara online.

Megjithatë, këto shifra nuk përfshijnë qiratë private që operojnë jashtë platformave digjitale apo marrëveshjet direkte me turistët. Për këtë arsye, vlerësimet sugjerojnë se numri real i netëve të qëndrimit në akomodime private mund të arrijë 2.8–3.5 milionë në vit, duke treguar se aktiviteti informal në këtë segment mund të jetë 40–50% më i lartë se sa ai i identifikuar në statistikat zyrtare.

Efekti domino në ekonominë lokale

Sipas analizës, ndikimi i informalitetit nuk kufizohet vetëm te buxheti i shtetit. Kur bizneset formale humbasin qarkullim, ato reduktojnë blerjet nga furnitorët dhe fermerët vendas, ndërsa një pjesë e operatorëve informalë furnizohen me mallra pa faturë ose përdorin importe më të lira.

Si rezultat, humbja totale ekonomike nga ky shtrembërim vlerësohet 80–120 milionë euro në vit, një shifër që tejkalon ndjeshëm humbjen direkte fiskale.

Krahasimet rajonale tregojnë se situata është ndryshe në vende si Kroacia, Greqia dhe Mali i Zi, ku qiratë afatshkurtra janë të regjistruara dhe raportojnë automatikisht të ardhurat. Si pasojë, bizneset formale në këto vende ruajnë pjesën më të madhe të tregut dhe kanë mundësi të investojnë më shumë në cilësi dhe produkte turistike me vlerë të shtuar.

Presion në rritje mbi mjedisin dhe strehimin

Përtej informalitetit, studimi thekson se fluksi i madh i turistëve në Shqipëri po krijon edhe presion të konsiderueshëm mbi burimet natyrore dhe infrastrukturën publike. Në disa destinacione bregdetare, veçanërisht në Durrës, Saranda dhe Himarë, janë evidentuar probleme me cilësinë e ujit, menaxhimin e mbetjeve dhe kapacitetin e sistemeve të ujërave të zeza.

Monitorimet mjedisore tregojnë se në zonën e Durrësit më shumë se gjysma e pikave të monitorimit të ujit të detit klasifikohen me cilësi të dobët, ndërsa gjatë sezonit veror konsumi i ujit rritet 30–50% mbi kapacitetin e sistemit ekzistues. Ndërtimet intensive pranë bregdetit kanë kontribuar gjithashtu në përshpejtimin e erozionit të plazheve, duke rritur rrezikun e përmbytjeve dhe duke reduktuar hapësirën natyrore të tyre.

Turizmi ka sjellë gjithashtu efekte të përziera sociale. Nga njëra anë, sektori ka rritur të ardhurat lokale dhe ka krijuar rreth 274–280 mijë vende pune. Nga ana tjetër, rritja e kërkesës për apartamente turistike ka intensifikuar fenomenin e gentrifikimit në qytetet turistike.

Në destinacione si Saranda, çmimet e banesave janë rritur 30–50% në periudhën 2021–2025, duke e bërë më të vështirë për banorët vendas të qëndrojnë në qendrat urbane. Ndërkohë, shumica e vendeve të punës në turizëm mbeten sezonale dhe me paga relativisht të ulëta, gjë që krijon pasiguri sociale dhe nxit emigrimin e punonjësve të kualifikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë