Nga Gazeta ‘Si’- Kryesia e Partisë Demokratike miratoi sot listat e kandidatëve për primaret Brenda partisë prej nga do dalin kandidatët e zgjedhjeve të 11 majit.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale njoftoi se Kryesia e Partisë Demokratike miratoi listat e kandidatëve për primaret. Sipas njoftimit, deri më tani, janë regjistruar gjithsej 468 kandidatë të propozuar dhe vetëpropozuar, nga të cilët 289 kanë dorëzuar dokumentacionin përkatës.
Në këtë garë, 89 kandidatë janë gra (31%), ndërsa 47 i përkasin grupmoshës së të rinjve (16%).
Me propozim të kryetarit të PD, Sali Berisha, duke konsideruar se afati i dorëzimit të dokumentacionit për pjesëmarrje në procesin e primareve ishte i shkurtër, dhe kjo mund të ketë shkaktuar vështirësi kryesisht për kandidatët që kanë shprehur interes nga diaspora, Kryesia vendosi që vetëm për kandidatët që kanë shprehur interesin por kanë qenë në pamundësi për të plotësuar dhe dorëzuar dokumentacionin përkatës, ky afat të shtyhet deri ditën e shtunë, datë 22 shkurt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



