Një pasdite e trazuar për sulmuesin e Kombëtares, Rei Manaj, ndërkohë që duhej të ishte shumë më ndryshe. Duhej të ishte një pasdite e gëzuar për golin dhe fitoren e skuadrës së tij, Albasetes, që merr pjesë në kategorinë e dytë spanjolle dhe është pretendente për t’u ngjitur në La Liga. Sulmuesi kuqezi i hapi rrugën fitores në fushën e Majorkës që në minutën e tretë, kur realizoi golin e avantazhit. Ndeshja në fjalë u mbyll me fitoren 1-3 të skuadrës së Manajt, por ky i fundit u vu në shënjestër të tifozëve kundërshtarë për shkak të një ndërhyrjeje, që solli dëmtimin e një lojtari të Majorkës, i cili u transportua me urgjencë për në spital. Pas ndeshjes, siç e ka phuar edhe vetë futbollisti i Kombëtares, ka marrë mesazhe kërcënuese.
Ksisko u dëmtua në kokë dhe mjekët e transportuan me autoambulancë për në spital, ndërsa sulmuesi shqiptar vazhdoi lojën dhe tifozët e ekipit vendës filluan ta vërshëllenin dhe të quanin “vrasës”. Kjo bëri që në minutën e 73-të Manaj të linte fushën e lojës. Trajneri i Albasetes e zëvendësoi për të mos e komplikuar situatën. Pas ndeshjes, Manaj foli për episodin e dëmtimit të lojtarit të Majorkës dhe fitoren e skuadrës së tij: “Ishte e pavullnetshme. Të dy vrapuam për topin dhe më vjen shumë keq për Ksiskon. Kam marrë shumë mesazhe kërcënuese në rrjetet sociale. Për golin dhe fitoren jam i gëzuar”.

Rei Manaj është transferuar këtë verë tek Albasete nga skuadra e Granadës, ku luajti sezonin e fundit. Kartonin e tij e ka pasur Interi, por që gjithmonë e ka huazuar në skuadra të tjera në Itali, te Piza, Peskara dhe Kremoneze. Ai është grumbulluar nga trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, në ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, por nuk ka luajtur titullar. Me fanellën e Albasetes ka shënuar dy gola këtë sezon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje