Gazeta Si – Një operacion i befasishëm i forcave speciale u zhvillua mëngjesin e kësaj të shtune në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku SPAK ka lëshuar 8 urdhër-arreste për dy ngjarje kriminale dhe trafik ndërkombëtar të drogës.
Deri tani janë ekzekutuar 3 masa, një prej të cilave në Zvicër, ndërsa 5 të dyshuar janë shpallur në kërkim nga policia.
Në një njoftim zyrtar, SPAK thotë se aktiviteti i grupit, ishte i shtrirë në disa vende të Bashkimit Europian, ndërsa hetimet janë bazuar në komunikimet e koduara “SKY ECC”.
Përmes bisedave të ç’koduara, është zbuluar se ky grup kriminal është përfshirë në krime kundër personit, trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Duket se Prokuroria e Posaçme arriti të zbardhë 2 atentate mafioze të ndodhura në qytetin bregdetar 5 vite më parë, në 2021-in, atë të Gentjan Qarrit më 6 shkurt dhe atë Bledar Birçajt 1 muaj më pas, më 10 mars të po këtij viti.
Hetuesit e posaçëm besojnë se pas të dyjave vrasjeve, fshihet grupi i Inez Hajrullës, një personazhi të njohur në Vlorë, i cili deri më tani i ka shpëtuar 3 atentateve.
I njohur si i “forti i Vlorës”, Hajrulla i shpëtoi këtë të shtunë arrestimit të policisë, sikundër dhe miku i tij, Ervis Matodashaj.
Frikë nga dekonspirimi
Në fakt, 8 urdhër arreste u lëshuan në total nga SPAK. Por njëri, u mbajt i fshehtë dhe nuk iu dorëzua policisë për ekzekutim. Dhe jo pa arsye.
Personi që duhej prangosur është në radhët e policisë dhe ende në detyrë dhe së fundmi në Kukës, kështu që duhej shmangur rreziku që operacioni të dekonspirohej.
Punonjësi i policisë, Rezart Kuçi, aktualisht shef seksioni në policinë shkencore në Kukës, u arrestua për 3 vepra të rënda penale, “shpërdorim të detyrës, trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Në kohën kur janë kryer veprat penale, burimet thonë se Kaçi ka qenë shef për hetimin e krimeve në Vlorë dhe ka lëvizur gjatë kohës në disa detyra të tjera, në Lushnjë, Shef i Krimeve në komisariatin numër 1 në Tiranë si dhe së fundmi në Kukës.
Po me urdhër të SPAK, në bashkëpunim me autoritetet në Zvicër, ra në pranga, ish-polici, Hamëz Demushi. Burime nga SPAK thonë se janë zbardhur episode të trafikut të drogës Gjermania dhe Holanda.
Pjesë të grupit të lidhur me dy atentatet e 2021-shit në Vlorë, SPAK bën edhe Flodian Plakun, i njohur si “Pole Qorri”.
Atij iu komunikua masa e dytë në qeli, pasi është arrestuar për një tjetër vrasje, po në Vlorë në vitin 2024, atë të Gentjan Bejtjes.
Arrestimi i “Pole Qorrit” në gusht të 2025-ës, çoi SPAK në gjurmët e para për zbardhjen e 2 atentateve të tjera mafioze, të Gentjan Qarrit, dhe Bledar Birçajt, pas sekuestrimit të disa celularëve.
Zbërthimi i bisedave i dha indicie hetuesve të posaçëm, se grupi pas këtyre atentateve, ishte i Inez Hajrullës.
Tre persona të tjerë për të cilët janë lëshuar urdhër arreste nga SPAK, ndodhen jashtë shtetit, në Itali dhe Greqi dhe janë shpallur në kërkim. Njëri prej tyre, Mendu Duka, i cili rezulton edhe biznesmen.
URDHËR-ARRESTET
Inez Hajrulla (kërkim)
Ervis Matodashaj (kërkim)
Flodian Plaku (ekzekutuar në burg)
Rezart Kuçi (ekzekutuar masa nga AMP)
Hamëz Demushi (ekzekutuar masa në Zvicër)
Mendu Duka (në kërkim)
Arben Memishaj (në kërkim)
Argest Xhezani (në kërkim)

Vrasja e Gentian Qarrit dhe Bledar Birçajt
Grupi i Inez Hajrullës akuzohet nga SPAK për eliminimin e Gentjan Qarrit më 6 shkurt 2021 dhe Bledar Birçajt më 10 mars 2021.
SPAK thotë se Hajrulla dhe krahu i tij i djathtë Ervis Matodoshaj, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit, kanë organizuar dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët, me qëllim realizimin e vrasjes së Qarrit.
I njohur ndryshe si “Gecja”, Gentjan Qarri u vra në Vlorë ndërsa po lëvizte në këmbë në orët e pasdites. Në drejtim të tij u shkrehën plumba kallashnikovi, ndërsa mbeti i vdekur në vend.
Ekzekutorët e kësaj vrasje ende nuk janë identifikuar. Ka qenë grupi i Hajrullës, që sipas SPAK, ka bërë të mundur fshehjen e autorëve dhe djegien e mjetit me të cilin ata janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Hajrulla me krahun e tij të djathtë, Ervis Matodoshajn (të dy ende në kërkim) kanë dhënë udhëzime për monitorimin e 40-vjeçarit, sigurimin e automjeteve dhe kryerjes së vrasjes ndërsa më pas zhdukën nga vendi i ngjarjes edhe autorët.
Sa i takon vrasjes së Bledar Birçajt më 10 maj 2021, SPAK thotë se grupi i Inez Hajrullës ka siguruar të gjitha kushtet për eliminimin e tij.
Edhe kjo vrasje kishte mbetur e pazbardhur dhe shkak dyshohet të jetë bërë prishja e pazareve të drogës. Birçaj u ekzekutua vetëm një muaj pasi u kthye nga Spanja në vendin tonë.
Grupi i Hajrullës e kishte vënë në vëzhgim, duke përdorur madje edhe kamera survejimi për të vëzhguar lokalin në pronësi të tij, “The boss”.
SPAK thotë se përmes këtyre kamerave, grupi ka arritur të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet, oraret dhe personat, me të cilët Birçaj shoqërohej, derisa më 10 maj të 2021-shit vunë në jetë planin për ekzekutimin e tij.
Në momentin kur Birçaj u zu në pritë ishte në makinë me një 20-vjeçar dhe një polic, të antidrogës, Granit Deromema.

Hajrulla dhe Matodashaj
Për këto dy krime dhe dyshimet për trafikun ndërkombëtar të drogës, SPAK ka shpallur në kërkimInez Hajrullën dhe Ervis Matodoshaj.
Hajrulla, ose “i forti i Vlorës” është një emër i cilësuar si kontigjent kriminal për Policinë, i cili i ka shpëtuar dy atentave, fillimisht në vitin 2017 dhe më pas në 2019.
Ai u vendos në shënjestër për t’u ekzekutuar nga bandat kriminale për shkak të kontrollit të territorit të lojërave të fatit. Hajrulla dhe Matodoshaj janë ende në kërkim nga blutë, ndërsa dy të tjerë ndodhen aktualisht në qeli.
Operacioni
Aksioni është organizuar nga forcat RENEA në bashkëpunim me SPAK, ndërsa më pas është kërkuar edhe mbështetja e Policisë së Vlorës. Në operacion është përfshirë gjithashtu edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Në operacion janë angazhuar rreth 40 efektivë të forcave speciale dhe rreth 10 mjete, përfshirë edhe automjete të blinduara.
Aksioni është monitoruar edhe nga ajri përmes një droni, i cili ka shërbyer për të kontrolluar zonën dhe për të koordinuar veprimet në terren.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje