Squid Game nga Netflix është një nga serialet më të pëlqyera dhe më të ndjekura këto kohë por gjithashtu edhe më të diskutueshmit.
Seriali ku shihen qindra njerëz që konkurojnë për një çmim në një sërë detyrash që janë në formën e lojërave ka episode që përmbajnë skena të dhunshme, me konkurentë të plagosur rëndë apo dhe të vrarë.
Për këtë, mësues nga disa shkolla në Amerikë kanë ngritur shqetësimin e tyre duke thënë se fëmijët kanë filluar të përsërisin disa nga sfidat e serialit.
Mësuesit e Shkollës Fillore “John Bramston” në Ilford iu kanë shkruar një letër prindërve duke shprehur shqetësimet e tyre pasi fëmijët që kanë parë serialin po qëllojnë njëri-tjetrin duke kopjuar aktorët.
Në letër thuhet: “Të dashur prindër/kujdestarë, kemi vënë re se një numër i madh fëmijësh po shikojnë Squid Game në Netflix. Ne kemi vënë re fëmijë që kanë filluar të kopjojnë aktorët në fushat e lojërave në shkollë, gjë që po shkakton konflikte midis fëmijëve. Fëmijët që po e shikojnë këtë serial po ekspozohen ndaj skenave të dhunës dhe fatkeqësisht po i përsërisin ato skena. Ju lutemi kini parasysh rreziqet e këtij seriali për fëmijët tuaj. Gjithashtu ju lutemi tregojuni fëmijëve se të qëllosh dikë nuk është e përshtatshme, as e pranueshme. Ju lutemi na mbështetni për t’i mbajtur fëmijët tuaj të sigurt”.
Ndërkohë, një shkollë tjetër në Kent, Sandown, ka filluar të ofrojë orë shtesë mbi dhunën dhe dëmet në internet në përgjigje të popullaritetit të serialit.
“Ne po japim gjatë gjithë kohës këshillat tona për prindërit dhe fëmijët dhe si përgjigje për këtë serial, kemi nisur të japim orë shtesë për dhunën dhe dëmet që shkakton dhe promovon interneti”, tha një zëdhënëse e shkollës.
Squid Game u shkrua në vitin 2008, por u deshën më shumë se 10 vjet që të fillonin xhirimet dhe më pas të dilte në Netflix.
Burimi: The Independent. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje