Futboll

Kastrioti trondit Flamurtarin dhe lë fundin e renditjes

Java e 15-të e Superiores ka sjellë një surprizë. Flamurtari është mundur 1-0 nga Kastrioti i vendit të fundit në Fushë-Krujë, duke i lënë vlonjatët prapa kreut me pikë. Një fitore që i ka ngjitur krutanët një shkallë më lart, në vend të parafundit, dhe shpresat e Kastriotit për mbijetesë janë shtuar ndjeshëm. Në vend të fundit tashmë është Kamza, që ka marrë një pikë në Laç, por që ka vetëm vlera morale në këtë moment. Laçi ka gabuar, duke lënë dy pikë në fushën e tij, pa mundur kështu të parakalojë Kukësin në renditje.

Flamurtari ka zhvilluar një ndeshje shumë të dobët, Vlonjatët kanë vuajtur gjendjen e keqe të fushës, por ky nuk është justifikim. Afrikani Okebuku shënoi një gol shumë të bukur në pjesën e parë dhe më pas Flamurtari nuk arriti të bënte asgjë për ta përmbysur rezultatin. Krutanët mund të kishin shënuar edhe një gol, pasi fituan një 11-metërsh, por Ymeraj gaboi përballë portierit të ri vlonjat,Qirko. Kjo humbje mund të ketë pasoja për Flamurtarin, që po tregon luhatje të forta në këto javë. Javën e ardhshme vlonjatët përplasen me Laçin, që gjithashtu vjen nga një hap fals në shtëpi.

Java e 16-të sjell sfida mjaft interesante. Kukësi-Skënderbeu dhe Teuta-Partizani janë dy sfida shumë të rëndësishme sa i takon kreut të tabelës së renditjes, por edhe skuadrat e tjera luajnë me rivalë të drejtpërdrejtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë