Futboll

“Më trego sa e bukur je”, skandal në futbollin e femrave në Afganistan

Futbolli i femrave në Afganistan është përfshirë nga një skandal i madh, që lidhet me abuzime seksuale ndaj lojtareve nga trajnerë dhe drejtues të federatës. Ish-kapitenja e kombëtares afgane të futbollit të femrave, Khalida Popal, ka bërë denoncimin e frikshëm, duke folur për një sistem të tërë, që përfshin drejtuesit e futbollit kombëtar, deri te Keramudin Karim, presidenti i Federatës. Fjalët e saj janë konfirmuar edhe nga lojtare të tjera të Afganistanit.

Në një intervistë për BBC-në, Khalida Popal – azilante në Danimarkë që nga viti 2011 dhe e kërcënuar me vdekje, – ka pohuar se e ka denoncuar vite më parë Federatën për dhunën dhe abuzimet ndaj disa lojtareve. “Në vend që të ndëshkoheshin, ose të paktën të largoheshin, përgjegjësit janë promovuar”, – ka thënë Popal. Sipas saj, seksi i përdorur si “armë” presioni ndaj lojtareve, përfshin personalitete të fuqishme që kanë lidhje me qeverinë afgane. Fjalët e ish-kapitenes janë konfirmuar edhe nga disa lojtare, që kanë pasur kurajë për të treguar vuajtjet e tyre. Disa prej tyre kanë pohuar se janë detyruar të ofrojnë trupin si mall shkëmbimi për të luajtur me ekipin kombëtar. “Më trego sa e bukur je, sepse vetëm vajzat e hijshme do të bëjnë pjesë në ekip”. Kjo është fjalia, me të cilën drejtuesit u janë drejtuar lojtareve.

Khalida Popal, ish-kapitene e Afganistanit

Në të kaluarën, të akuzoje drejtuesit e lartë të federatës, do të thoshte largim nga ekipi dhe kjo gjë u ka ndodhur 9 lojtareve. Këto të fundit i janë drejtuar më pas FIFA-s, që ditët e fundit ka hapur një hetim në lidhje me këtë çështje. Në Kabul, presidenti Ashraf Ghani ka folur për një shok të thellë kombëtar, ndërsa Prokuroria ka hapur një tjetër hetim nga ana e saj. Skandali ka shkuar deri në parlamentin afgan.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë