Futboll

Modriç i lë targën Mesit e Ronaldos, shpallet më i miri i 2018-s

Një tjetër çmim i rëndësishëm individual për kroatin Luka Modriç, për të cilin në Spanjë janë të sigurt se e ka fituar edhe “Topin e Artë”. Klasifikimi i fundit i IFFHS-së (Federatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave të Futbollit), e ka shpallur lojtarin më të mirë të vitit 2018 mesfushorin e Realit të Madridit.

Në pritje të çmimit prestigjioz të “Topit të Artë”, ku është favorit absolut, Modriç ka marrë këtë vlerësim nga IFFHS. Kroati ka dalë para Lionel Mesit dhe Eden Hazardit në një klasifikim të nxjerrë nga 90 ekspertë nga e gjithë bota. Tibo Kurtua është shpallur portieri më i mirë dhe Didier Deshamp trajneri më i mirë.

Modriç ka fituar me 272 pikë, me një diferencë të madhe ndaj Mesit (144 pikë) që kishte fituar tre edicionet e fundit. I treti u rendit Eden Hazard me 114 pikë. Kristiano Ronaldo ka përfunduar në vend të 10-të, me vetëm 5 pikë. Para yllit portugez të Juventusit janë renditur Kevin De Bryjne i Mançester Sitit, Nejmar i PSG-së, Pol Pogba i Mançester Junajtid, Kristian Eriksen i Totenhemit, Miralem Pjaniç i Juventusit dhe Hames Rodrigues i Bajernit të Mynihut.

Luka Modriç me fanellën e Realit

Portieri mëi mirë, sipas IFFHS-së, është Tibo Kurtua i Realit të Madridit, i cili ka marrë 181 pikë dhe është renditur para Hugo Loris të Totenhemit dhe Xhanluixhi Bufonit të PSG-së. Portieri i Interit, Samir Handanoviç, është renditur në vend të 14-të, me 4 pikë.   

Champions League e fituar në qershor të këtij viti i ka dhënë Zinedine Zidane vendin e parë në renditjen e trajnerëve më të mirë në rang klubesh. Francezi ka marrë 296 pikë dhe ka qenë shumë para rivalëve Jurgen Klop me 109 pikë dhe Pep Guardiola me 105. Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, ka mbetur jashtë podit dhe është kënaqur me vendin e 5-të, me 33 pikë.

Vendi i parë në renditjen e trajnerëve më të mirë të kombëtareve i ka ka takuar kampionit të botës, Didier Deshamp, me 304 pikë. Pas tij është renditur Zllatko Daliç i Kroacisë me 198 pikë dhe me radhë Roberto Martinez i Belgjikës dhe Stanislav Çerçesov i Rusisë. Deshamp është i katërti trajner francez që e fiton këtë trofe, pas Zhake (1998), Lemer (2000) dhe Santini (2003).


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë