Dënimi pritej dhe FSHF-ja, me anë të Komisionit të Disiplinës, tashmë e ka zyrtarizuar: Tirana do të luajë dy ndeshje pa praninë e tifozëve në fushën e saj. Disiplina ka marrë në shqyrtim atë çfarë ndodhi pas ndeshjes Tirana-Kukësi, ku tifozët bardheblu hynë në fushë dhe sulmuan lojtarët e skuadrës së tyre. Ndeshja kishte përfunduar dhe kjo është arsyeja pse ky komision ka marrë një masë relativisht të butë pas klubin kryeqytetas. Dënimi është dhënë për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dhe sjellje të gabuar të tifozëve.
Tirana do të luajë me stadium të boshatisur në ndeshjet me Skënderbeun dhe Kastriotin. Kuptohet që në ndeshjen ndaj korçarëve është një minus i madh mungesa e tifozëve, për vetë situatën që po kalon Tirana, që mbetet në zonën e rrezikshme të renditjes, me 10 pikë pas këtyre 12 javëve kampionat. Këtë fundjavë skuadra e trajnerit Mema luan në Gjirokastër me Luftëtarin, një rival direkt, kështu që i ndalohet humbja.
Komisioni i Disiplinës ka dënuar edhe disa futbollistë të kategorive inferiore, kryesisht për sjellë të gabuar ndaj zyrtarëve të ndeshjeve. Ja disa nga vendimet kryesore të Disiplinës:
1. KF “Tirana”, për dështimin në përmbushjen e përgjegjësive, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke u futur brenda pjesës së rrethuar të fushës dhe duke shkaktuar akte dhune ndaj lojtarëve, në bazë të Nenit 66/3/a të KDS, dënohet me zhvillimin e 2(dy) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.
2. Lojtari i FK “Tërbuni”, Denis Taku, për sjellje të keqe ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
3. Lojtari i KF “Devolli”, Ardit Jaupaj, për provokim të publikut dhe sjellje të keqe ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 53/1 dhe 49/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashte) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
4. KF “Delvina”,për sjellje të gabuar të tifozëve, në bazë të nenit 13/1 të KDS paralajmërohet se në rast përsëritje të sjellje të tilla do të jetë subjekt i ndëshkimeve që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive.
5. Lojtari i SHS “Përmeti” Xhuljo Mamushi për sjellje të gabuar ndaj kundërshtareve të ndeshjes dhe për ofendime ndaj zyrtarëve të ndeshjes në bazë të neneve 48/1/d ,49/1/a dënohet me 4 (katër)ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje