Futboll

Shkëmbi triumfon në Korçë, Teuta mbetet “macja e zezë” e Skënderbeut

Ish-kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, tani trajner i Teutës, ka triumfuar në qytetin e tij, duke i shkaktuar Skënderbeut humbjen e dytë në po kaq ndeshje me durrsakët. Një fitore e rëndësishme për skuadrën bregdetare, që Shëkmbi, siç e pohoi edhe vetë pas ndeshjes, i ka shijuar shumë, edhe pse ka ndëshkuar qytetin e tij. Ka vendosur një gol i shënuar nga Kamara në pjesën e parë dhe durrsakët kanë merita për këtë fitore, sepse pjesën e dytë e luajtën me një lojtar mnë pak, pas daljes me karton të kuq të Beqjas. Edhe pas kësaj humbje, Skënderbeu ruan vendin e dytë, por tashmë 4 pikë pas Partizanit, ndërsa Teuta konfirmon pozitat në zonën europiane.

Tri herë e dërgoi topin në rrjetë Skënderbeu në këtë ndeshje, por asnjëherë në mënyrë të rregullt sipas kryesorit Enea Jorgji. Korçarët shpërdoruan edhe shansin e artë për të barazuar në fundin e pjesës së parë, kur fituan një 11-metërsh, që u shpërdorua nga Aliti, gjuajtja e të cilit u prit nga Hidi. Kosovari nuk kishte gjuajtur asnjëherë penallti.

Nga ndeshja Skënderbeu-Teuta, 0-1

Skënderbeu ngulmoi shumë në pjesën e dytë dhe e luajti atë pranë zonës së Teutës, por lojtarët e tij humbën shumë raste. Ka pasur polemika për golin e anuluar të Muzakës, pasi arbitri Jorgji akordoi një faull në dëm të Osmanit. Po ashtu, korçarët kanë pretenduar për një tjetër penallti, pas prekjes së topit me dorë në zonë nga Osmani, një tjetër ish i madh i kësaj sfide. Skënderbeu ka pësuar humbjen e parë në Korçë në këtë kampionat dhe kuptohet që për të do të jetë shumë e vështirë ta ruajë kurorën e kampionit.

Pas ndeshjes, trajneri Orges Shehi shprehu keqardhjen për rastet e shumta të humbura: “Golin e pësuam nga mbajtja e tepruar e topit. Në pjesën e parë nuk u shprehëm si duhet, por nuk është se kundërshtari na vuri në vështirësi. Më vjen keq për rastet e shumta të  shpërdoruara, për djersën e çuar dëm nga lojtarët. Ushtruam presion dhe ndryshuam modul loje, por nuk arritëm të konkretizonim. Krasniqi ka pësuar një dëmtim dhe do të na mungojë edhe disa javë”.

Mjaft entuziast ishte pas kësaj fitoreje trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, i cili u shpreh: “Kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë, ndërsa në pjesën e dytë treguam shpirt gare, pasi ishim me një lojtar më pak. E di sa e vështirë është të mbash rezultatin 1-0. Skënderbeu na detyroi të luanim ashtu në pjesën e dytë, vetëm të mbronim rezultatin dhe të kundërsulmonim. Kur ekipi ka besim, arrin pikën maksimale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë