“Skuadra ime nuk ka nevojë të shesë, që të blejë”. Një fjali e thënë nga Klaudio Lotito, presidenti i Lacios, një personazh i përfolur për inteligjencën e tij dhe për aftësitë në të bërin e llogarive. Probleme të kësaj natyre nuk i kanë personazhe të tjerë që drejtojnë klube të ndryshëm në Europë, personazhe shumë të suksesshëm në biznes. Një udhëtim në botën e parave, të 10 presidentëve më të pasur. Nuk do ta besoni se kush është më i pasuri…

10. Në vend të 10-të, me një pasuri prej 1.7 miliard dollarësh, është Farhad Moshiri, i cili ka në pronësi 49.9% të Evertonit. Biznesmeni i njohur iranian operon në fushën e energjitikës, në Angli dhe në Rusi.

9. Në vend të 9-të, Xho Ljuis. I famshëm në biznes dhe futboll. Është pronari i Totenhem Hotspur dhe të kompanisë së investimeve në Angli, “ENIC Group”. Ka një pasuri prej 5 miliardë dollarësh.

8. Vendin e 8-të e mban Rinat Akhmetov, pronari i Shakhtar Donjetsk, me një pasuri prej di 5.5 miliardë dollarësh. Sipërmarrësi dhe manjati ukrainas është president i “System Capital Management”. Ai është njeriu më i pasur në Ukrainë.

7. Në vend të 7-të, me një pasuri prej 5.8 miliardë dollarësh, është Zhang Jindong, president i “Suning Commerce Group”, “Suning Holdings Group” dhe “Suning Real Estate”. Nga 28 qershori i 2016-ës është pronari i Interit. Zotëron 100% të kuotave të “Suning Holdings Group”, 65% të “Suning Real Estate” dhe 48.1% të “Suning Appliance Group”.

6. Roman Abramoviç në vend të 6-të, me një pasuri prej 10.8 miliardë dollarësh. I famshëm edhe jashtë Rusisë, pasi është pronari i Çelsit. Ai u bë i njohur me investimet kolosale që bëri ne merkato me ardhjen në krye të këtij ekipi. Me të në krye, Çelsi ka fituar 15 trofe.

5. Vendin e 5-të e mban Alisher Usmanov. Biznesmeni uzbeko-rus ka një pasuri prej 12.5 miliardë dollarësh. Dollarin e parë e ka bërë duke shitur zarfe plastikë, para se të bëhej prodhuesi kryesor i hekurit me kompaninë e tij “Metalloinvest”. Ka aksione në kompaninë ruse më të madhe të internetit, “mail.ru”, si dhe te “MagaFon”, operator i telefonisë celulare e kuotuar në bursën e Moskës dhe Londrës. Shumë investime në Amerikë, si dhe pronar i Arsenalit.

4. Në vend të 4-t, Lakshmi Mital. Sipërmarrës multimiliarder indian që jeton në Londër, aksioner i Kuins Park Rejnxhërs, me një pasuri prej 18.5 miliardë eurosh. Mital ka lindur në një fshat të vogël në Indi, në Rajasthan, por jeton në Kensington, në Londër. “Financial Times” e ka nominuar njeriun e vitit në 2006-ën. Në 2010-ën, “Sunday Times” e ka zgjedhur si personin më të pasur në Mbretërinë e Bashkuar, me një shtim të ardhurash në masën 108% në krahasim me një vit më parë. Lakshmi Mital është themeluesi dhe administratori i deleguar i “ArcelorMittal”, një kompani lider në prodhimin e çelikut.

3. I panjohur për shumë njerëz. Rasti tipik i “e pabesueshme, por e vërtetë”. Në vend të 3-të gjejmë Pol Gardner Alen, një informaticien amerikan. Është bashkëthemeluesi i “Microsoft”, bashkë me Bill Gejts. Në nëntor të 2000-shit, Alen braktisi çdo detyrë te “Microsoft”, edhe pse mbeti aksioner i fuqishëm i kompanisë. Në 2009-ën, për herë të parë, mori Siatëllin dhe e ngjiti në MLS. Pas 7 vitesh, në 2016-ën, fitoi titullin e parë kampion. Pasuria e tij llogaritet në rreth 21.7 miliardë euro.

2. Në vend të 2-të, me një pasuri prej 23 miliardë dollarësh, është Ditrish Mateshitz. Sipërmarrësi austriak dhe themeluesi i kompanisë së fuqishme të pijeve energjike “Red Bull”. Ai ka 49% të aksioneve dhe ka themeluar në 2009-ën klubin e Bundeligës, Lajpcigun.

1. Dhe në vend të parë, Fransua Pinolt, me një pasuri prej 27 miliardë eurosh, pronari i Renes. Një sipërmarrës francez, që ka në pronësi dhe administron kompaninë e produkteve të luksit “PPR”. Pinolt është gjithashtu pronar i kompanive “Artemis S.A”, “Samsonite”, “Vail Ski Resort” në Kolorado, si dhe i prestigjiozes “Christie’s”, një kompani tenderash. Është edhe një koleksionist i artit modern, si dhe pronar i “Palazzo Grassi” në Venecia.
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje