Në një kohë kur ish-kryeministri Sali Berisha është nisur të takojë demokratët e Fierit në një vizitë për 31 vjetorin e themelimit të degës së PD për të vijuar pastaj me një tjetër takim në Gjirokastër, një grup deputetësh të Komisionit të Rithemelimit kanë buajtur në oborrin e selisë blu, duke gjetur sërish dyert e selisë të mbyllura.
“Kemi ardhur këtu, bashkë me Strazimirin, Kason, me drejtuesit e tre degëve të Tiranës, 1, 3 e 7, pasi këto janë zonat që ne kemi mbuluar gjatë fushatës elektorale dhe kishim caktuar një mbledhje pune. Vend tjetër për ta bërë, përveçse shtëpisë sonë, PD, nuk ka. Kjo tashmë është kthyer në një bunker. Një parti që nuk ka qenë e mbyllur në këto 30 vite asnjëherë, ka qenë një derë e hapur përherë. Çdo parti në Shqipëri i ka dyert e hapura. Për herë të parë në 30 vite Basha ka mbyllur dyert. Kujt i shërben kjo? Nuk i shërben askujt tjetër, përveçse Lulzim Bashës, që të mbajë karrigen e tij, dhe Edi Ramës. Një opozitë që është izoluar nga demokratët, shoqëria, i shërben qeverisë. Ky turp, kjo shëmti, është kriminale. Projekt për të zhdukur opozitën. Por opozita është gjallë. Opozita është në këmbë…
Kam një thirrje për miqtë e kolegët në PD që mbështesin Bashën, s’mund të sillen sikur kjo është një çështje mes Bashës e Berishës. Nuk mundet të sillen si njerëz jo politikë. 10% e partisë nuk mund të dhunojnë 90% të saj”, tha deputeti Aldo Bumçi, pasi provoi të hynte në derën kryesore të selisë.
I pyetur nga media referuar një deklarate të Gazmend Bardhit se duhet marrë leje paraprakisht tek administrata për tu futur në seli, Bumçi dha një përgjigje në kufijtë e ironisë;
“Ku ta marrim lejen tek e-Albania për të hyrë te PD-ja?”
Ndërsa Gent Strazimiri tha se në një situatë tjetër sot PD-ja duhet të gumëzhinte nga demokratët kundër qeverisë, porse kjo panoramë do të ndryshojë pas 8 janarit.
Më pas anëtarët e Komisionit të Rithemelimit janë larguar aty ku vetëm pak minuta para mbërritjes së tyre, Basha kishte ftuar në kafe në një tjetër kënd po në oborrin e selisë disa përfaqësues të medias.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje