Politike

Nga Paloka te Këlliçi, Këshilli i PD shkarkon me vetëm 4 vota kundër 10 emra, Bardhi: Celulë ilegale brenda partisë

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike shkarkoi me shumicë dërrmuese të votave kryetarin e tij, Edi Paloka, pesë anëtarë të Kryesisë dhe katër sekretarët që iu bashkuan Kuvendit të Sali Berishës ditën e shtunë.

Nga numri total prej 478 anëtarësh, në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Lulzim Basha morën pjesë 257 anëtarë. Nga këta, sipas PD, 251 votuan pro shkarkimit, 4 votuan kundër dhe dy fletë ishin të pavlefshme.

Lista e të shkarkuarve nis me kryetarin e Këshillit Kombëtar, Edi Paloka vazhdon me anëtarët e Kryesisë, Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi e Oerd Bylykbashi dhe mbyllet me emrat e katër sekretarëve, Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Këlliçi dhe Ledina Mandia.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, Bardhit ata nuk njohin më kryetarin, sekretarin, nënkryetarët, kryesinë dhe as vetë Këshillin Kombëtar. Ai e quajti celulë ilegale.

“Përveç kësaj kjo është një trupë që sillet si celulë ilegale që kërkon t’i mbivendoset institucioneve legjitime të partisë. Për këtë arsye, ata mund të bëjnë çfarë të duan jashtë institucioneve të partisë, por nuk mund të veprojnë si anëtarë të kryesisë qendrore të PD”, tha ai.

Bardhi tha se Këshilli nuk përjashton asnjë prej emrave të propozuar nga Kryesia, por vetëm shkarkimin e atyre që mbështetën Sali Berishën në Kuvendin e thirrur prej tij.

“Nuk merret asnjë vendim për përjashtim, por për shkarkim nga funksionet. Disa anëtarë të Kryesisë nuk kanë respektuar vendimin e kryesisë së Partisë për thirrjen në datën 18 të Kuvendit Kombëtar. Përkundrazi! Janë angazhuar për ngritjen e strukturave paralele për të zëvendësuar institucionet e logjikshme statutore të PD”, tha Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë