Komunitet

15 mijë të huaj me lejeqëndrim në Shqipëri, rriten aplikimet nga italianët për punësim

Nga Gazeta Si – Ka arritur në 15 mijë numri i të huajve që banojnë në Shqipëri me leje qëndrimi, gjatë vitit 2021, me rritje 9.6% nga 2020-a.

60% të totalit të të huajve në vend, e përbëjnë europianët, të paevidentuar sipas shteti të origjinës, me 8.812 persona. Më pas janë iranianët, 2.586 dhe 1.869 nga Kosova. Të huajt me origjinë nga Italia janë 2.324 banorë.

Punësimi është arsyeja kryesore e lejeve të qëndrimit të të huajve në Shqipëri në 2021, me 47.7 %. Në vitin 2021 janë evidentuar 10.062 të huaj të parregullt në territorin e vendit ku pjesën më të madhe të tyre, e zënë të huajt me origjinë nga Siria dhe Afganistani me 67%.

Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2021 ka pësuar po ashtu rritje, me rreth 20% ose 9.106 aplikime. Aplikimet sipas vendit të origjinës nga Irani dhe Italia përbëjnë 42.2 % të aplikimeve gjithsej, në 2021.

Sipas ndarjes që bën Instat, Irani, Italia, Turqia dhe SHBA-ja sjellin aplikimet më të shpeshta në Shqipëri. Të huajt me origjinë nga Irani kryesisht dominohen nga arsye humanitare për të marrë leje qëndrimi në Shqipëri (99.3 %). Te të huajt rezident në Shqipëri me origjinë nga Italia, përveç arsyes për bashkim familjar (61.7%) vihet re edhe një dominim i arsyes për punësim (17.5 %).

Të huajt me origjinë nga Kosova, kryesohen nga arsyet për punësim (42.3 %) dhe arsyet për bashkim familjar (29.1 %). Të huajt me origjinë nga Turqia, kryesohen nga arsyet për bashkim familjar (69.2 %) dhe arsyet për punësim (28.9 %). Të huajt me origjinë nga SHBA dhe Egjipt dominohen nga arsyet për bashkim familjar (respektivisht me 64.3 % dhe 77%).

Gjatë 2021 numri i të huajve rezident përbëhet nga 9.400 meshkuj dhe 5.521 femra. Meshkujt zënë 63% në numrin e të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë