Politike

“16 mijë viktima deri para 6 muajsh, keni fshehur vdekjet”. Basha replika me Manastirliun për pandeminë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi në Kuvend se përmes Aktit Normativ që pritet të miratohet në Kuvend të enjten i hapet rrugë sigurimit brenda 3 muajsh të 500 mijë vaksinave Pfizer ku seria e parë vjen brenda tetorit.

Por më herët, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, kryetari i PD-së, Lulzim Basha u ndal në një çështje delikate që krijoi jo pak zhurmë para zgjedhjeve të 25 Prillit.

“Vendimi i ditës së sotme që ka në qendër marrëveshjen me Pfizer, vendos edhe një herë në qendër të vëmendjes pandeminë.  Ashtu si në traditën më të keqe të kësaj qeverie ajo që thuhet nuk bëhet. Kjo nuk është hera e parë që ndodh dhe hera e parë që gënjejnë për pandeminë. Ju e dini që kanë gënjyer për rimbursimin e të prekurve nga COVID-19, kanë gënjyer për gjoja sekretin shtetëror, por mbi të gjitha kanë gënjyer për jetët e humbura. Para 6 muajsh ishin plot 16 mijë qytetarë që nuk janë më në shtëpitë e atyre që kanë humbur të dashurit e tyre dhe jo shifra rrenacake e raportuar nga qeveria e rrenave.  Edhe në raportin e Komisionin Evropian konfirmohet kjo kur thuhet se Shqipëria ka shtesën më të madhe të numrit të të vdekurve…  “, tha Basha.

“Boll me deklarata pa teklif, po rrezikoni shëndetin e qytetarëve! Bëjini thirrje të vaksinohen”, reagoi Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu

“E keni kthyer vdekjen në refren. Keni 18 muaj që hidhni vallen e vdekjes. Nuk e kuptoj pse këmbëngulni në vallen e vdekjes. Shqipëria ia ka dal edhe ndërkombëtarisht që ta fitojë betejën me pandeminë me Covid-19. Faktet flasin, ju ftoj të studioni më shumë kur flisni për fatalitetet. Mos të fërkoni barkun për vdekjet apo për një vaksinë të bërë më pak. 4.8 milionë fatalitete ka në të gjithë botën, i ka shkaktuar Covidi. Nëse nuk do të kishin qenë të fshehura nuk kishin si të binin në duart tuaja për ti tundur në ajër këtu. E keni nisur me akuza ndaj mjekëve, por qytetarët e treguan në zgjedhje. Duhet ta pranoni humbjen”, tha Manastirliu.

Teksa Manastirliu po i përgjigjej akuzave të Bashës nga foltorja e Kuvendit, kryedemokrati tentoi të shkonte të merrte fjalën por u ndalua nga Garda.

“Kemi një rënie të lehtë të infektimeve në krahasim me dy javët e kaluara por incidenca mbetet e larët dhe numri i fataliteteve. Në luftën për jetën, avantazhi i vetëm që kemi është vaksina. Luftës për jetën i bëjnë dëm deklarata e hedhur pa teklif nga të papërgjegjshëm, për fat të keq edhe në këtë sallë për vaksina të pasigurta. I bëjnë dëm edhe deklaratat e shtrembra për situatën në spitale duke i bërë njerëzit të hezitojnë të shkojnë në spital edhe kur janë rëndë. Nuk do të ishte turp sikur çdokush prej deputetëve të shfrytëzonte hapësirën në media apo në rrjete sociale për t’i bërë thirrje qytetarëve ‘vaksinohuni'”, vijoi Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë