Tampon, pandemi, vatër infeksioni dhe karantinë në kuptimin e parë të fjalës janë termat që kanë pasuruar fjalorin e gjuhës së futbollit në 2020-ën. Një vit i pazakontë për gjithë botën, që patjetër e ka goditur edhe futbollin, duke i lënë stadiumet të boshatisura, ndërkohë që vlerat e shitjeve dhe blerje të lojtarëve kanë pësuar ulje të konsiderueshme në “bursë”.
Përveç Koronavurit që goditi gjithë botën, futbolli shqiptar në këtë vit të mbrapshtë u godit edhe nga bojkoti. Një bojkot i Ligës Profesioniste dhe FSHF-së si presion ndaj qeverisë për plotësimin e disa kërkesave, që sipas tyre janë thelbësore për të mbajtur futbollin. Pas disa javësh “ping-pong”, Superiorja nisi më 5 nëntor, duke krijuar një vonesë të pashpjegueshme. Problematika mes palëve mund të zgjidhej shumë mirë gjatë zhvillimit të kampionatit. Pasojat po i vuajnë klubet në këtë periudhë, duke luajtur çdo 3 ditë.

Në këtë vit të çuditshëm Tirana është kthyer te titulli kampion pas 11 vjetësh. Titulli i 25-të në histori ka përkuar me 100-vjetorin e krijimit të klubit, por për fat të keq festa, që duhej të ishte speciale, është sfumuar nga rregullat e pandemisë. Koronavirusi i ka privuar bardheblutë nga esenca e futbollit, tifozët. Në prill kampionati u ndërpre për shkak të izolimit të vendit, për t’u mbyllur në muajin korrik, pas më shumë se 2 muajsh pushim. Tirana e siguroi titullin matematikisht para mbylljes së kampionatit, saktësisht pas humbjes së Kukësit rival në Shkodër.
Një vit i zi ishte 2020-a për Flamurtarin dhe Luftëtarin, dy skuadra me traditë në futbollin shqiptar, që kanë rënë në Kategorinë e Parë, kurse Vllaznia që tani synon titullin kampion, mbijetoti në Superiore vetëm falë ndeshjes shtesë me Besëlidhjen. Kastrioti dhe Apolonia janë dy ekipet që u rikthyen në elitën e futbollit shqiptar.

Faktori Emanuel Egbo
Para nisjes së sezonit Tirana bënte pjesë në grupin e pretendentëve për titull, por nuk ishte në rresht të parë. Bardheblutë filluan të bindnin gradualisht pasi drejtimin e ekipit e mori Emanuel Egbo, deri atëherë përgatitës portierësh te Tirana. Afrikani e nisi si trajner provizor, pas largimit të Ahmatajt, por shpejt ia gjeti “fijet” skuadrës dhe më pas mori “bekimin” e presidentit Halili. Egbo mundi edhe skeptikët dhe në fund e riktheu skuadrën më të titulluar në vend të trofeu i kampionit.

Emanuel Egbo diti ta udhëhiqte Tiranën me sukses javë pas jave, por vendimtare ishin ndeshjet derbi me Partizanin, ku bardheblutë eliminuan një rival dhe pastaj fituan edhe garën me Kukësin në fund të kampionatit. Egbo u bë një faktor i rëndësishëm te kryeqytetasit, pasi diti të ruante shumë mirë ekuilibrat në skuadër, duke i dhënë secilit atë që meritonte. Madje, nigeriani ia doli të zbuste edhe një lojtar rebel si Majkëll Ngo. Vetëm 2 javës pas kampionatit të ri u shkarkua, për t’ia lënë vendin Nevil Dedes.
“Rekordi” në Kupat e Europës
Edhe pse skuadrat tona u përgatitën me emergjencë për përfaqësimin në Kupat e Europës, pasi koha në dispozicion ishte e paktë, sërish ia dolën ta kalonin turin e parë eliminator të gjitha, në një format me tek ndeshje këtë herë. Tirana eliminoi kampionët e Gjeorgjisë në Ligën e Kampionëve, por më pas u ndal 0-1 nga Crvena Zvezda në Tiranë dhe kaloi në Ligën e Europës, ku u eliminua nga Jang Bojs 3-0.

Teuta kaloi ndaj izraelitëve të Beitar Jerusalem, duke fituar 2-0 në Durrës, ku më pas priti spanjollët e Granadës dhe u mund 0-4. Laçi u kualifikua me penallti në Azerbajxhan ndaj Inter Baku, por në turin tjetër humbi në fushën e vet ndaj Hapoel Ber Shevas. Kukësi eliminoi Sllavian e Sofjes 2-1, për t’u ndeshur më pas me gjigantët gjermanë të Volfsburgut, të cilët fituan 0-4 në Elbasan.
Vllaznia e rilindur
Sezoni aktual, që ka lënë pas 12 javë, po udhëhiqet nga Vllaznia, që duket se ka rilindur që kur në krye të saj ka ardhur presidenti Alban Xhaferi. Shkodranët, me Tomas Bërdariç në stol dhe me një merkato jo shumë të bujshme, kanë kryesuar thuajse gjatë gjithë kohës dhe janë të shkëputur me 6 pikë nga vendi i dytë, çka i bën ata pretendentë për titullin. Klubi që vitet e fundit ka luftuar për mbijetesë, tani synon titullin dhe pritet të privatizohet së shpejti.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje