Politikisht, 2020 nisi i qetë. Aktorët kryesorë të saj ishin më shumë të përqëndruar në mesazhet ndërgjegjësuese për përballimin e pasojave të tërmetit dhe shmangën përplasjet e forta mes tyre. Vërejtjet dhe sesi duheshin përballuar këto pasoja, Presidenti Ilir Meta dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha ja jepnin Edi Ramës në formën e këshillave, ndërsa Kryeministri ftonte opozitën që të bëhej pjesë e tryezës së përbashkët për rindërtimin.
Lulzim Basha nuk iu bashkua kësaj ftese, por një tryezë për të ulur të dërguarit e tyre u gjet. Ajo ishte marrëveshja e 14 janarit, ku shprehimisht Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nënshkruanin një pakt për të gjetur një marrëveshje për reformën zgjedhore, njëri prej kushteve të vendosura nga Brukseli për hapjen e negociatave. Nga kjo marrëveshje lindi Këshilli Politik me përfaqësues, Damian Gjiknurin nga PS, Oerd Bylykbashin nga PD, Petrit Vasilin nga LSI dhe Rudina Hajdari si përfaqësuese e opozitës parlamentare.

Dukej se do të ishte një vit i mbarë politikisht, por shpejt ditët e bakllavasë politike përfunduan dhe palët po rrëshqisnin sërish në llogoret e tyre. Kreu i PD-së, Lulzim Basha iu rikthye qortimeve për mënyrën e përballimit të pasojave të tërmetit, ndërsa nga fundi i janarit rilindën edhe akuzat për përdorimin e tragjedisë për të favorizuar një grusht personash të afërt me Qeverinë.
Rama rrëzonte akuzat e Bashës, ndërsa jashtë kufijve vazhdonte përplasjen me Ramush Haradinajn, të cilin e paditi në gjykatat e Kosovës për shpifje në lidhje me akuzën e hedhur prej ish-Kryeministrit të Kosovës se Edi Rama mbështeste ndarjen e territoreve dhe se nga kjo mbështetje do të përfitonte 10 mld dollarë. Gjithsesi, Rama u tërhoq nga kjo padi gjashtë muaj më vonë, gjatë vizitës së bërë në Prishtinë pas publikimit të akt-padisë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit.
Në shkurt, pandemia dukej ende e largët për shqiptarët dhe për politikën gjithashtu. Qeveria si prioritet kishte konferencën e 17 shkurtit në Bruksel për mbledhjen e donacioneve. Sipas përllogaritjeve të saj, tërmeti kishte shkaktuar rreth 1 mld euro dëme. Pritshmëritë më optimiste të Ramës ishte që nga konferenca të siguronte gjysmën e kësaj shume. Por, mes donacioneve, granteve dhe kredive të buta, ajo që u premtua në Bruksel shkoi në rreth 1.1 mld euro.

Konferenca u cilësua si sukses nga të gjithë. Rama e interpretonte si produkt të besimit të fituar ndërkombëtar nga ana e Qeverisë, ndërsa Presidenti Meta dhe Lulzim Basha bënin thirrje për nisjen e punës për përthithjen sa më shumë të këtyre fondeve.
Në këtë kohë, koronavirusi ishte përhapur ndjeshëm në zonat veriore të Italisë, duke mbyllur në izolim njëri pas tjetrit rajone të tëra. Në Shqipëri skenari i karantinës ishte i paimagjinueshëm. Presidenti dhe opozita kërkonin marrjen e masave, vendosjen e kontrolleve në kufi dhe përgatitjen e sistemit shëndetësor. Rama kundërpërgjigjej se nuk kishte vend për panik dhe se sistemi shëndetësor ishte në gjendje që të përballonte këtë sfidë.
Marsi solli protestën e parë presidenciale. Presidenti Ilir Meta thirri më datën 2 të këtij muajit qytetarët në shesh për të kundërshtuar grushtin e shtetit.
Ai dorëzoi personalisht në Prokurorinë e Posaçme padinë ndaj ministres së Drejtësisë dhe dy zyrtarëve të tjerë të lartë të këtij institucioni, që i cilësoi pjesë të një celule të strukturuar, që përmes shkeljes së Kushtetutës dhe falsifikimeve tentuan grushtin e shtetit për t’i rrëmbyer haptazi kompetencat. Meta tha se shkalla e shkeljeve të gjetura është aq e rëndë sa ishte e domosdoshme që padinë ta dorëzonte personalisht në SPAK me statusin e Presidentit.
“Këto prova dhe fakte tronditëse ishte e domosdoshme t’i sillte vetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Padia është dorëzuar për 3 titullarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, me në krye zonjën ministre ende në detyrë”, vijoi Presidenti.
Kreu i shtetit tha se Presidenca është duke mbledhur prova të reja që i mbërrijnë çdo ditë për të çuar deri në fund shpartallimin e të gjithë asaj që e quan përpjekje për grusht shteti përmes kapjes dhe kontrollit të Gjykatës Kushtetuese. Meta përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve që më 2 mars t’i bashkohen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. “Për të bërë të qartë se shqiptarët janë me Kushtetutën dhe jo me Metën”, deklaroi ai.
Marsi solli edhe rastet e para pozitive dhe më datë 9 të këtij muaji, Qeveria vendos marrjen e masave kufizuese fillimisht në Tiranë e Durrës dhe më pas në të gjithë vendin. Jeta ndali pezull. Institucionet reduktuan punën dhe shërbimet me radhë. Si asnjëherë më parë rrugët e Tiranës ishin bosh dhe në ndihmë të policisë së shtetit në zbatimin vendimin e izolimit, në to qarkulluan dhe blindet e ushtrisë. Rama u bë protagonist përmes daljeve në rrjetet sociale, ku njoftonte masat e ndërmarra në luftën kundër armikut të padukshëm, edhe para se ato të zyrtarizoheshin nga Qeveria.
Basha kërkonte më tepër testime, mbylljen e fasonerive, pezullimin e pagesave për koncesionet që vlerësonte si korruptive dhe drejtimin e këtyre fondeve në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve në nevojë. Në përllogaritjet e opozitës, mbyllja e fasonerive nuk i kushtonte buxhetit më shumë se 15 mln euro. Por, PD akuzonte Qeverinë se para shëndetit të qytetarëve kishte vënë interesat korruptive përmes tenderave të fshehur duke përdorur si justifikim pandeminë.
Lajmi më pozitiv i fundit të muajit mars ishte vendimi i Këshillit Europian për hapjen e negociatave. Rama e interpretonte si provë e qeverisjes në rrugën e duhur të reformave të ndërmarra nga Qeveria e tij, ndërsa Basha e Meta i kujtonin kushtet e vendosura për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Brukselin. Ato lidheshin me reformën zgjedhore dhe rikthimin në funksionim të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Në këtë periudhë për plotësimin e të treja këtyre kushteve puna ishte pezulluar.
Këshilli Politik u përpoq të zhvendoste punën online dhe vetëm më 13 maj do të mblidhej sërish në tryezë fizikisht. Palët thanë se kishin gjetur marrëveshjen për ndryshimet ligjore, jo vetëm të Kodit, por edhe të ligjit për policinë dhe prokurorive, ku të reflektohej një kërkesë e Partisë Demokratike që krimi zgjedhor të hetohej nga SPAK. U thanë se ato që kishin mbetur ishin detaje teknike.
Më 17 maj u shemb godina e Teatrit Kombëtar, që pasoi protesta jo vetëm nga grupi i artistëve që u aktivizuan për muaj me radhë në mbrojtje të saj, por edhe nga opozita dhe qytetarë të tjerë.
Si formë proteste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bojkotuan mbledhjen e 18 majit të Këshillit Politik.
Kjo vuri në lëvizje Ambasadorët e SHBA, BE dhe të Britanisë së Madhe. Ata kërkuan që të mos vihej në rrezik i gjithë progresi i bërë në këtë drejtim për muaj me radhë dhe u bënë thirrje palëve që të firmosnin dakordësinë. Opozita e vlerësoi shembjen e godinës së teatrit si tregues të mungesës së vullnetit të mazhorancës për të respektuar ligjet dhe marrëveshjet, ndërsa nga mazhoranca thanë se opozita po e shfrytëzon teatrin për të justifikuar bojkotin ndaj reformës zgjedhore.
Nëse temperaturat në rritje në prill nuk ngrohën raportin Rama-Basha, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për raportin e Kryeministrit me Presidentin. Në fund të prillit Ilir Meta thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërsa dekretoi pa vonesa ndryshimet në Kodin Penal, që dënojnë deri në 5 vite burg përhapësit e pandemive.

Ndryshimet e propozuara nga Qeveria kaluan me procedurë të përshpejtuar në Kuvend dhe me gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur, duke rënë ndesh me Kushtetutën.
Megjithatë, Meta i vulosi këto ndryshime dhe një javë më vonë dorëzoi në Këshillin e Lartë Gjyqësor kërkesën për deklarimin e përfundimit të mandatit të Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe rrjedhimisht edhe nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Kjo nuk ishte hera e parë që Presidenti përplasjet me Dvoranin. Historiku i kësaj përballjeje ka çuar deri në akuza se Dvorani drejtonte një grup të organizuar mafioz në KED me qëllim kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Por, ndryshe nga herët e tjera, kur kishte marrë në mbrojtje Ardian Dvoranin dhe akuzuar Metën se po i trembej drejtësisë, kësaj radhë mazhoranca heshti.
Më 11 qershor, KLGj i dha të drejtë Metës dhe Ardian Dvorani u largua nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duke i dorëzuar çelësat e kryesimit të këtij institucioni tek Vitore Tusha.

Me ardhjen e majit, vendi nisi të hapej gradualisht nga izolimi total. Kjo hapje ishte në përpjestim të drejtë me ashpërsimin e gjuhës së akuzave të politikës, që kulmuan pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Katër ditë para se të ndërmerrej ky aksion, Presidenti kishte dorëzuar në Kushtetuese një padi ku kundërshtonte kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës të truallit të Teatrit Kombëtar.
Gjithsesi, PD dhe LSI u rikthyen në tryezën e Këshillit Politik. Ambasadorja e SHBA vuri si afat 31 majin dhe në këto ditë e konsideronte si të përmbyllur punën nga ana e socialistëve, duke deklaruar se tashmë “topi ishte në fushën e mikut të saj Luli”.
Nuk vonoi dhe më 5 qershor, pas shumë ecejakesh nga Pallati i Kongreseve në selinë e Ambasadës së SHBA, palët nënshkruan marrëveshjen, që nuk ndryshonte sistemin, nuk hapte listat dhe për më tepër nuk adresonte rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR, mes të cilave depolitizimin e administratës zgjedhore.
Ujdia ishte më shumë politike se sa një reformë zgjedhore, megjithatë pakti u përshëndet nga ndërkombëtarët në Tiranë dhe nga ata në Bruksel dhe Uashington dhe njëri nga kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare vlerësohej i plotësuar.
Por, ende pa u tharë mirë boja e firmave në këtë ujdi, në Kuvend mbin një nismë për ndryshimin e Kushtetutës. Drafti ishte hartuar nga opozita parlamentare, që nga kjo marrëveshje kishte dalë e pakënaqur pasi nuk cekej çështja e hapjes së listave. Ajo propozoi ndryshime kushtetuese për hapjen e tyre. Drafti fillestar propozonte edhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
Fillimisht PS nuk e komentoi këtë nismë, por më vonë doli hapur pro saj, madje Kryeministri Edi Rama deklaronte se mbi 80 për qind e qytetarëve e kërkonin atë, ndërsa PD dhe LSI nga ana tjetër e cilësonin këtë një lojë të Edi Ramës, që po fshihej pas hapjes së listave me qëllim ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
Parashikimi i ndalimit të koalicioneve në Kushtetutë u hoq, por aty u vendos hapja me të paktën dy të tretat e listave. Formula e re, sipas mazhorancës, e bënte të pamundur formulën e koalicioneve me lista të përbëra, ashtu siç u mbajtën zgjedhjet në 2009 dhe 2013 dhe për këtë arsye propozohej ndryshimi i saj.
Më 23 korrik Parlamenti votoi ndryshimet e Kodit Zgjedhor në kuadër të marrëveshjes së Këshillit Politik. Më 27 u votua raporti i Komisionit Hetimor të ngritur për të hetuar veprimtarinë e Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Raporti gjen shkelje të Kushtetutës, por nuk kërkon shkarkimin e Presidentit.
Më 30 korrik votohen ndryshimet kushtetuese që ndryshojnë formulën e koalicioneve. Ato hynë në fuqi më 20 gusht. Në këtë periudhë, Partia Demokratike, që kishte hyrë në një proces propozimi nga baza të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2021 akuzonte Partinë Socialiste se kishte shkelur paktin e 5 qershorit.
Në fund të gushtit, palët tashmë kishin ndezur motorët elektoralë. PD vazhdonte procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, ndërsa Rama mblodhi socialistët në Elbasan. Në këtë takim shpalosi synimin për mandatin e tretë dhe u bëri të qartë të vetëve që askush të mos e merrte për të mirëqënë vendin në listën e kandidatëve për deputetë.
Sesioni i ri parlamentar në shtator nisi i vrullshëm. Në kalendarin e punimeve kishte një sërë çështjesh me rëndësi, që nga vakancat në Gjykatën Kushtetuese, deri tek ndërhyrja e radhës në Kodin Zgjedhor për të reflektuar në të ndryshimet kushtetuese. Më 6 shtator, Presidenti Ilir Meta dekreton datën e zgjedhjeve; 25 prillin. Më vonë, Presidenti deklaronte se cdo përpjekje për të devijuar nga marrëveshja e 5 qershorit mes mazhorancës dhe opozitës do të konsiderohet prej tij si tentativë për grusht shtetit, që do të marrë përgjigjen e grushtit të popullit.
Por, dy javë pas kësaj deklarate të Metës, Parlamenti kalon ndryshimet në Kodin Zgjedhor që hapin pjesërisht listat, por “mbyllin koalicionet”. Presidenti mori më shumë se dy javë kohë para se të njoftonte se për këtë proces i ishte drejtuar Komisionit të Venecias dhe të ktheu për rishqyrtim në Kuvend këto ndryshime, që ndryshonin rregullat pasi kishte filluar loja.
Presidenti Meta tha se ato ishin në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe me standardet europiane, si dhe u bënë në mënyrë të njëanshme dhe pa një konsensus gjithëpërfshirës. Opozita e vlerësoi këtë qëndrim të Presidentit si një hap dhe mundësi e rëndësishme, në drejtim të rikthimit të paqes publike dhe klimës zgjedhore në vend, ndërsa PS paralajmëronte rrëzimin me shpejtësi të dekretit të Metës.
Meta kërkoi që mazhoranca të priste mendimin e Venecias dhe pastaj të shprehej mbi dekretin e tij. Te ky propozim gjeti mbështetjen edhe nga Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Oliver Varhelyi. Mazhoranca nuk doli kundër idesë së Venecias, por tha se koha nuk premtonte. Ajo rrëzoi dekretin e Metës duke deklaruar se çdo vërejtje të Venacias për të do të duhej të adresohej pas 25 prillit.
Mazhoranca dhe opozita parlamentare rrëzuan dekretin me 96 vota pro, një më pak nga sa vota u miratua më 5 tetor. Disa javë më vonë, Komisioni i Venecias solli opinionin. Në të qortoheshin ndryshimet kushtetuese të njëanshme dhe me procedurë të përshpejtuar, por thuhej se ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përfshirë këtu edhe ato për formulën e koalicioneve parazgjedhore nuk ceknin thelbin e sistemit.

Në mesin e debatit mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Tirana vizitohet nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias. Ky i fundit, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama deklaronte se ishte gjetur dakordësia për të dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës mosmarrëveshjen mes dy vendeve për detin. Por, me t’u kthyer në Athinë sqaronte se Greqia do të zgjerohej fillimisht me 12 milje në Detin Jon dhe më pas do t’i adresohej kësaj gjykate.
Më 8 dhjetor, vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha pasoi protesta të dhunshme të qytetarëve, kryesisht të rinj. Protestat e gjetën Ramën në SHBA, siç tha me misionin e vështirë për sigurimin e vaksinës. Për ditë me radhë Tiranë u shndërrua në ‘mejdan’ të përplasjeve mes protestuesve dhe policisë.
Protestuesit kërkonin dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Kërkesa u realizua sapo Rama mbërriti në Shqipëri. Ai mirëkuptoi protestuesit, por akuzoi se mes tyre kishte segmente të partive politike që po shfrytëzonin deri minorenë në përpjekje për rrëzimin e Qeverisë.
Kryeministri e drejtonte gishtin e akuzës nga Presidenti Ilir Meta, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Sali Berisha. Lulzim Bashës i bënte thirrje që të distancohej dhe dënonte dhunën. Sa i takon pasaardhësit të Lleshajt, Rama mori disa ditë kohë për të njoftuar më pas emërimin e Bledi Çuçit në këtë post.
Zhvillimet e vrullshme në politikën e brendshme zbehën vëmendjen nga mbledhja e Këshillit Europian, ku edhe pritshmëritë për përcaktimin e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE ishin të vakëta.

Presidenca gjermane, që në qershor e kishte vendosur si objektiv që kjo të realizohej brenda 6 muajve, nuk ja doli mbanë që të bindte vendet e tjera të unionit në dhënien e dritës jeshile. Vala e dytë e pandemisë që tashmë ishte përhapur nëpër Europë e kaloi në plan të dytë zgjerimin dhe datë nuk mori as Maqedonia e Veriut për shkak të vetos bullgare.
Rama e mbylli 2020 me ndryshime në Qeveri, premtimin e vaksinës anti-Covid në mes të janarit dhe aeroportet e Kukësit dhe të Vlorës. Nga qeveria largoi Gent Cakajn si ministër në Detyrë në Ministrinë e Jashtme dhe dërgoi në këtë post Olta Xhaçkën e në vend të saj te Mbrojtja, Niko Peleshin, ndërsa për vaksinën njoftoi se ishte arritur një marrëveshje në parim me Pfizer.
Basha nga ana tjetër e mbylli me bindjen e tij se “burimi i së keqes” në vend është Edi Rama, zotimin për largimin e tij me votë më 25 prill dhe shpalosjen e programit ekonomik, në themel të të cilit është taksa e sheshtë 9 për qind. Ai premtoi gjithashtu se do të çlirojë ekonominë nga duart, sipas Bashës, e oligarkëve dhe se do të shfrytëzojë ligjin antimafia për të gjurmuar të gjitha paratë e korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Mentor Kasa
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)

























Lini një Përgjigje