Lajme

23 plumba mbi Jurgen Kurtin. Detajet e vrasjes së menaxherit të VIP-ave

Detaje të reja janë zbuluar për vrasjen e 26-vjeçarit Jurgen Kurti mbrëmjen e kaluar në rrugën “Zef Jubani” pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet.
Mësohet se menaxheri i VIP-ave është ekzekutuar me breshëri plumbash pranë banesës së tij, pasi në vendngjarje policia gjeti dhe sekuestroi 23 gëzhoja pistolete.
Dyshohet se dy persona ende të paidentifikuar i kanë bërë pritë pranë banesës së tij dhe e kanë që qëlluar nga një makinë ngjyrë gri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Policia ka shoqëruar 10 persona për t’u marrë në pyetje, ndërsa pista kryesore e vrasjes është ajo e hakmarrjes. Më herët, 26-vjeçari ka qenë dy herë i shoqëruar për akuzën e vrasjes, por më pas ishte shpallur i pafajshëm.
Policia vijon hetimet dhe po këqyr kamerat e sigurisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Viktima në fakt nuk është një emër i panjohur për policinë dhe për publikun shqiptar. Ai njihet si menaxher i VIP-ve dhe u arrestua në 2016-ën për vrasjen e babait të tij, por kur daja pranoi krimin Kurti u la i lirë dhe u çlirua nga akuzat thuajse një vit pas krimit.
Jurgeni përfundoi në qeli pas vrasjes së babait të tij më 4 prill 2016 (në banesën, ku pak metra më tutje ndodhi sot atentati tragjik), por gjykata e liroi disa ditë më vonë duke e lënë në arrest shtëpie.

Më pas, gjykata dha masën “arrest me burg” për dajën e tij, Leonard Ristanin, që mori përsipër autorësinë e vrasjes.
Kurti, po ashtu akuzohet si i përfshirë në një sherr, ku mbeti i vrarë pronari i një marketi në Durrës në 2017. Nga ekspertiza mjeko-ligjore asokohe, u vërtetua se shtetasi Agim Arapi ka ndërruar jetë për shkak të problemeve që ka pasur me zemrën, ku nuk ka përballuar dot goditjet me grushta, të kryera nga autorët.
Pavarësisht se në vendin e ngjarjes është gjetur një thikë dhe fillimisht u tha se Arapi ishte qëlluar me thikë dhe kishte ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra, policia në njoftimin zyrtar, deklaroi se 51-vjeçari ka vdekur për shkak të një ataku kardiak.

Jurgen Kurti, dhëndri i një prej autorëve të dyshuar, u shfajësua pasi sipas policisë ai nuk ka marrë pjesë në rrahjen e viktimës.
Pak minuta pas ngjarjes efektivët e policisë së Durrësit arrestuan autorët e dyshuar, vëllezërit: Kostandin Ekonomi 54 vjeç dhe Kujtim Ekonomi 50 vjeç, banues në Durrës.

Ndërkohë, bashkëshortja e tregtarit në Durrës, Agim Arapi, i cili mbeti i vrarë në prill të vitit 2017, në një prononcim për mediat është shprehur se familja e saj nuk ka lidhje me vrasjen e 26-vjecarit Jurgen kurti gjatë mbrëmjes së djeshme në Tiranë.
Për vrasjen e bashkëshortit të saj në vitin 2017 u akuzua pikërisht i riu Jurgen Kurti, por Vjollca Arapi shprehet se familja e saj ka kërkuar drejtësi për bashkëshortin dhe se 3 fëmijët i ka në Itali. Vjollca Arapi ndër të tjera shpreh keqardhjen për nënën e Jurgen Kurtit.
“E dëgjova në media për vrasjen. Më erdhi keq se ishte djalë i ri. Keqardhje për nënën e tij që i iku djali dhe i them se unë dhe familja ime s’kemi lidhje me atë ngjarje. Unë kam kërkuar burgun, drejtësinë, jo vdekjen e tij. Prokuroria e Tiranës erdhi dje në banesën time dhe bëri kontroll. Më morën në pyetje, por unë nuk di gjë për vrasjen dhe 3 fëmijët e mi jetojnë në Itali”, tha ndër të tjera bashkëshortja e Agim Arapit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë