Nuk ka shumë për të kuptuar se në 24 orët e fundit, partitë kryesore në vend, kanë arritur të mbledhin vetëm Këshillin Politik.
Dhe për çfarë? Për ndryshimet kushtetuese, paketë nga e cila kryeministri Edi Rama nuk heq dorë, dhe opozita ka qëndrim krejt të kundërt, duke tentuar veçse të fitojë kohë përmes futjes në lojë të Këshillit Politik.
Sepse, nisur nga eksperienca politike, për një çështje kaq kategorike, rregullat e lojës do mund të ndryshonin, vetem nëse do të kishim një takim në nivel kryetarësh.
Kanalizimi i kësaj çështje në një mbledhje Këshilli, ku aktorët nuk ndryshojnë dhe as qëndrimet, nuk të çon në një zgjidhje të përbashkët. Të paktën deri tani.
Rama tha më herët kur ftoi Lulzim Bashën, por edhe Ilir Metën, se PS nuk ka asnjë obligim tjetër përveç marrëveshjes së 5 qershorit.
Megjithatë ai “cicëroi” në Twitter kur tha jo pa ironi se PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PD, LSI dhe Ilir Metën për dobinë që, sipas tij, nisma kushtetuese ka për Shqipërinë.
Rama e tejkaloi formatin e Këshillit Politik kur u shfaq i gatshëm të ulej aty, bashkë me Bashën dhe Metën nëse dëshironin. Më tej, ai mandatoi Gjiknurin për formalitetet. Ky i fundit zyrtarisht ftoi Monika Kryemadhin, dhe jo Ilir Metën, duke iu përmbajtur përfaqësimit të partive në Këshill.
Çfarë ndodhi nga kampi opozitar? Paralelisht me ftesën e Ramës, Monika Kryemadhi shprehej përmes takimesh se kryeministri i vendit po rrezikonte të ardhmen e vendit me ndryshimet kushtetuese.
Nuk munguan as “fishekët” e Edi Palokës, se Rama po destabilizonte vendin.
Ai që nuk foli ishte sërish Lulzim Basha. Ai do të çojë Gazmend Bardhin në tryezën e Këshillit Politik. Njoftimin e dha përmes një deklarate të përcjellë nga Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.
Lulzim Basha nuk foli sot, por as tre ditët pararendëse. Ai përcolli slinjal kthese një ditë më parë, përmes Gazment Bardhit, kur thoshte se ndryshimet kushtetuese duhej të diskutoheshin në Këshillin Politik.
Por fiks në të njëjtën ditë, Ilir Meta, lëshoi një batërdi qëndrimesh të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke paralajmëruar se ai do t’i drejtohej popullit, si me 2 mars, nëse nuk tërhiqej nga ndryshimet kushtetuese.
Ilir Meta u zgjua qejfmbetur edhe në mëngjes, kur që pa gdhirë, kërkonte mendimin dhe qëndrimin e Lulzim Bashës ndaj ndryshimeve kushtetuese.
Ilir Meta e shkëputi veten nga propozimi i papritur i Bashës kur tha se idenë për ta rikthyer çështjen në Këshillin Politik ai e kishte marrë fillimisht nga Kristaq Kume përmes një mesazhi natën vonë dhe që sot me kërkesë të tij ai ishte njohur më të njëjtin qëndrim edhe nga Lulzim Basha.
Paralelisht lëvizën edhe ndërkombëtarët. Parlamenti Europian, përmes tre eurodeputetëve të tij, njoftoi se volitet një konsensus mes të gjitha partive politike, duke e orientuar debatin drejt mbledhjes së Këshillit Politik, aty ku në fakt janë të përfaqësuara realitetet politike.
Në mbrëmje edhe Komisioneri Për Zgjerimin, Oliver Varhelyi njoftoi se është diçka e mirë që Këshilli Politik do të diskutojë ndryshimet e propozuara. “Përfshirja është e vetmja rrugë përpara në çështjet elektorale. Kyçe është që marrëveshja e 5 qershorit të ruhet dhe votohet në ligj sa më shpejt sepse ajo adreson një nga kushtet kyçe për çeljen e negociatave me BE”.
Me qëndrimet e sotme politike, ata që u kënaqën në fakt janë vetëm ndërkombëtarët. Së fundja vetëm mbledhja e Këshillit u arrit.
Sa për produktin ai mbetet shumë larg.
Qoftë për marrëveshjen, ashtu edhe për ndryshimet kushtetuese.
Sa kohë që Edi Rama kërkon takim me qëndrim të paracaktuar, Lulzim Basha flet përmes tam-tameve të opozitës së bashkuar, (pa u përfshirë vetë ai në takim me kundërshtarin), e që në mes të zallumuhisë vijon të qëndrojë krejt mosbesues, ai që në fakt e ndjeu veten jashtë loje këto 24 orë, Ilir Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje