Shitblerja e votës është njëra prej problematikave të identifikuara edhe nga vëzhguesit e OSBE/ODIHR në zgjedhjet e 25 prillit, por sipas kryesueses së këtij misioni jo më shqetësuesja.
Në një intervistë të dhënë për “DW”, Ambasadorja Urszula Gacek identifikon si shqetësim më të madh për OSBE/ODIHR përdorimin e burimeve njerëzore dhe financiare të administratës shtetërore në fushatë.
“Ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shit-blerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit”, thotë Gacek.
Por, ku u vu re shkelja e kufirit shtet-parti? Kryesuesja e vëzhguesve sqaron:
“Nga ndjekja e fushatës në 12 qarqet e Shqipërisë me vëzhguesit tanë ndërkombëtarë kemi konstatuar që të gjithë aktorët politikë mbanin fjalime. Nisur nga përmbajtja e tyre, askush nuk mund të hedhë poshtë që biznesi i qeverisë vazhdoi. Si shembull, kur dikush shkon hap spitale apo përuron shkolla. Ka pasur vizita inspektuese, të shpeshta nga ministra në objekte të caktuara dhe përdorur ato për fushatë elektorale”.
Ambasadorja Gacek thotë se është fakt që partia në pushtet ka disa përparësi ndaj partisë opozitare dhe se dallimi për të pasur një garë të drejtë e të ndershme është çështje vullneti. Ajo sqaron gjithashtu se misioni i OSBE/ODIHR po analizon legjislacionin shqiptar për të reflektuar në fund në raport nëse ka shkelje apo jo.
“Çështja është nëse mund ta përmbash, kufizosh veten që t’i përdorësh këto avantazhe brenda kufirit të lejueshëm. Misioni ynë po analizon pikërisht këtë, nëse ligji zgjedhor e ndalon këtë praktikë, pasi ligji është më strikt sesa rregulloret dhe udhëzimet. Ka paqartësi në ligjin e ri zgjedhor që do t’i shikojmë në detaje”, u shpreh Gacek.
Lidhur me shit -blerjen e votës, Gacek u shpreh se është një dukuri për të cilën në zgjedhjet e mëparshme janë bërë rekomandime sesi të trajtohet dhe se kjo dukuri prek të gjitha partitë politike. Kryesuesja e vëzhguesve ndërkombëtarë thotë se do të ndiqen nga afër proceset e ankimimit dhe akuzat për shit-blerje vote.
“Çdo rast duhet trajtuar me drejtësi dhe paanshmëri, që në të ardhmen njerëzit mos ta bëjnë këtë. Nuk është një dukuri që mund të zhduket vetëm në një proces zgjedhor, pra ka dy elemente: edukimin e votuesve dhe ndjekjen penale”, thotë ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje