Komunitet

250 dollarë vaksina anti-Covid në tregun e zi, Europol: Kujdes, mund të jenë të rreme

Europol ka këshilluar vendet anëtare të Bashkimit Europian që të bëjnë kujdes dhe të tregohen të vëmendshme ndaj vaksinave Covid-19 false, që mund të lulëzojnë pas autorizimit për përdorimin e tyre.

Kërkesa më e madhe se oferta, sipas Europol, ka bërë që shumë njerëz të drejtohen në mënyrë vetjake për të siguruar vaksinën. Një pjesë e tyre, sipas një hetimit të agjencisë europiane ligjzbatuese kanë rënë pre e vaksinave të rreme në tregun e zi.

“Ne tashmë u kemi dërguar një paralajmërim Shteteve Anëtare, duke u bërë thirrje atyre që të jenë shumë vigjilentë. Ekziston një rrezik real që grupet kriminale po përpiqen të shfrytëzojnë nevojën për vaksinë për qëllimet e tyre kriminale”, tha për mediat gjermane, shefja e Europol, Catherine de Bolle.

Sipas de Bolle, krimi i organizuar do të përpiqet që nëpërmjet mashtrimeve ta përdorë këtë fushatë duke ofruar vaksina të rreme, që në rastin më të mirë nuk mbrojnë nga Covid dhe në rastin më të keq mund të shkaktojnë efekte anësore me pasoja të rënda për qytetarët.

De Bolle paralajmëron se duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe lirinë që të ofron bota online, krimi i organizuar mund të përfitojë duke nxjerrë në shitje vaksinat online. Ajo u bëri thirrje vendeve të BE-së që të përforcojnë kontrollet në këtë drejtim dhe të ndërmarrin fushata ndërgjegjësuese për qytetarët.

Alarmi i Interpol është dhënë pas raportimeve se në internet po shiten në tregun e zi vaksina anti-Covid me çmime që shkojnë të paktën 250 dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë