Opozita shqiptare veç faktit se po vijon të jetë e përçarë, ka dhe një problem tjetër atë të mungesës së kontaktit me faktorin ndërkombëtar. Kjo është dukshme veçanërisht për pjesën e demokratëve që përfaqësohet nga Berisha. Ish-kryeministri që ka marrë flamurin e opozitës që prej futjes në selinë e PD-së nuk ka pasur një takim me ambasadorët e shteteve më të fuqishme, si BE, SHBA apo dhe të tjerë. Kjo për faktin se Berisha prej më se një viti është shpallur një person “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo ka ndikuar në izolimin e tij. Në selinë e PD-së asnjë ambasador apo emisar ndërkombëtar nuk ka shkelur për tu takuar në zyrën e Berishës.
I vetmi reagim ndërkombëtar për zhvillimet në kampin berishist, ishte vetëm atëherë kur ish-kryeministri u godit brutalisht në protestën e 6 dhjetorit. Por edhe ky reagim nuk u mbajt nga ambasadorja Yuri Kim, por nga vetë ambasada që e dënonte aktin. Ndërkohë që më komod është aleati i tij, kreu i Partisë së Lirisë që ka pasur disa takime me diplomatë të huaj, si përshembull dhe me ambasadorin e ri të OSBE-së. Një takim me Berishën nuk ka ndodhur ende, edhe pse zgjedhjet janë afro tre muaj larg.
Pavarësisht këtij izolimi ndërkombëtar, që vjen edhe fakti i mos komunikimit të Berishës me liderët e partive popullore evropiane. I vetmi mesazh që ish-kryeministri ka marrë është ai përtej Adriatikut, nga kryeministrja Xhorxhia Meloni, e kjo si kthim përgjigjeje për mesazhin e dërguar nga Berisha për urimin e fitimit të zgjedhjeve nga “Fratelli D’ Italia”. Për ta çarë këtë izolim Berisha prej kohësh ka sulmuar ashpër ambasadorët këtu dhe jo vetëm amerikanen Yuri Kim, por edhe atë britanik. Ndërsa për çështjen e hetimit të ish-shefit të Departamentit të Kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal dhe sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama, Berisha nuk ka konferencë apo miting që të mos i bëjë thirrje qeverive apo kancelarive perëndimore, me qëllim që zëri i tij të dëgjohet. Për opozitën shihet si jetike mbajtja në nivelet e duhura të marrëdhënieve me ndërkombëtarët. Gjithsesi kjo pritet për tu parë se si do të veprojnë ndërkombëtarët, nëse Gjykata më 3 mars njeh Berishën de jure si kryetar të Partisë Demokratike. Pra nëse ky qëndrim i tyre lidhet me faktin se po mbajnë anë, edhe pse takimet me grupimin pro Basha apo Alibeaj janë më të shumta, apo është diçka përtej këtij vendimi të Gjykatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje