Politike

3 mijë lekshi shtesë për pensionistët mbyllet me qershor, Qeveria diskuton zgjatjen e mbështetjes

Qershori është muaji i fundit ku një kategori e gjerë pensionishtësh dhe personash e familjesh në nevojë përfitojnë 3 mijë lekëshin nga paketa mbështetëse e Qeverisë për përballimin e rritjes së çmimeve.

Paketa u miratua në muajin mars nga qeveria me një afat tremujor, duke filluar prej muajit prill.

Rritja e çmimeve ka rritur edhe të ardhurat që Qeveria arkëton përmes TVSH-së. Megjithatë, Qeveria nuk ende një vendimmarrje nëse do ta zgjasë edhe më tej këtë paketë, apo do të mbyllet me qershorin, por zv.Kryeministri Arben Ahmetaj tha që po.

“Pasoja e inflacionit në themel është ajo që dëmton të ardhurat e qytetarëve dhe që ka të ardhura nga TVSH, për një moment të kufizuar ka një reflektim te të ardhurat e buxhetit, risku është që inflacioni i çmimeve e fusin ekonominë në një qerthull negativ. Të gjitha të ardhurat shtesë duhet të gjykohen në hapësirën e një vit. Por, po jemi të përgatitur që buxheti të përballojë detyrimet që ka me pensionistët, me të gjitha subvencionet që u japim grupeve sociale”, tha Ahmetaj.

Sipas zv.Kryeministrit aktualisht nuk është e nevojshme paketë shtesë mbështetëse për fermerët dhe peshkatarët, por nëse do të jetë e nevojshme më vonë, Qeveria është e përgatitur edhe në këtë pjesë.

“Ne do të vazhdojmë të furnizojmë të gjitha angazhimet tona sociale në raport me shtresat në nevojë dhe në të ardhmen me paketa për fermerët, peshkatarët dhe kategoritë e tjera”, tha ai.

Zv.Kryeministri tha se Shqipëria sot ka rritjen më të vogël të çmimeve në raport me vendet e rajonit dhe ja faturoi këtë mbrojtje të konsumatorëve paketës mbështetëse sociale dhe asaj energjitike.

“Qeveria ka menduar përpara disa muajsh për ato paketa që sot janë publike dhe në funksion. Shqipëria e ka inflacionin 6.2 për qind më pak se i gjithë rajoni kjo ka të bëjë me paketën në mbështetje të të ardhurave, qoftë në paketën e subvencionimit të energjisë”, u shpreh ai.

Nga mbështetja me 3 mijë lek në muaj kanë përfituar gjysmë milioni njerëz. Pjesa më e madhe e atyre që përfitojnë nga këto pagesa janë pensionistë, mbi 400 mijë e tyre, ndërsa kategoritë e tjera përfituese janë ajo e invalidëve, të paraplegjikëve, të tetraplegjikëve, të të verbërve.

Sa u takon bordeve të çmimeve, Ahmetaj mbrojti vendimmarrjet e tyre, duke i konsideruar instrumenta të duhur që po frenojnë rritjen abuzive të çmimeve.

“Çdo instrument që funksionon për të monitoruar dhe frenuar me instrumentat e tregut dhe ato që ka administrata dhe shteti, të gjitha do të vazhdojnë të funksionojnë”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë