Rend dhe Ligj

3 vrasje në Elbasan dhe Durrës. Shoqërohet dhëndri i Qazim Sejdinit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjteje në Elbasan, ku ka humbur jetën një 40-vjeçar si pasojë e një konflikti. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në afërsi të qendrës së qytetit, rreth orës 05:00 të mëngjesit në lagjen “Luigj Gurakuqi”.

Në sherr janë përfshirë tre persona, të cilët ishin miq me njëri-tjetrin.

Mësohet se ata kishin pirë alkool tërë natën me njëri-tjetrin dhe në rrethana ende të paqarta ata kanë nisur të konfliktohen me sende të forta e shishe teksa kanë qenë të gjithë nën ndikimin e alkoolit.

Njëri prej tyre, 40-vjeçari Florian Lamcja ëstë qëlluar me sende të forta e për pasojë ka ndërruar jetë në spital.

Dy autorët e tjerë të përfshirë në ngjarje, Adriano Hajdari dhe Sokol Sanxhaktari, u lënduan lehtë.

Sokol Sanxhaktari është dhëndri i Qazim Sejdinit, ish-kryetarit të bashkisë së Elbasanit.

Ata aktualisht ndodhen në komisariatin e Elbasanit, ndërsa ka qenë e pamundur marrja e dëshmisë së tyre, pasi ende nuk iu kishte dalë pija.

Florian Lamçja ishte person me precedent të mëparshëm penal dhe është i dyshuar për disa vrasje me pagesë. Ndërkohë dhe dy autorët e tjerë janë emra të njohur për policinë e Elbasanit, pasi janë përfolur për disa ngjarje kriminale.  

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, mbrëmjen e kaluar po në qytetin e Elbasanit u vra 23-vjeçari Regis Runaj.

Një vrasje me thikë është regjistruar edhe në Shijak, ku një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:05, në Xhafzotaj të Shijakut.

Sipas policisë, dy vëllezërit Fiqiri e Fadil Çalliku, 65 dhe 63 vjeç, të cilët ishin në tokën e tyre dyshohet se pas një konflikti të çastit me 1 person janë dëmtuar me mjet prerës, (thikë).

Mësohet se 65-vjeçari, si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës.

Të dy vëllezërit kishin shkuar të plagosur në spital, e për pasojë Fiqiri Çalliku ndërroi jetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë