Serbia shpreson që të plotësojë nevojat për krah pune sidomos në ndërtim dhe bujqësi me punëtorë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut falë nismës së Ballkanit të Hapur.
Punonjësit e parë, rreth 30 mijë, sipas mediave serbe pritet që të mbërrijnë në Serbi që në shtator dhe bëhet fjalë për një shifër relativisht të lartë.
“Ne mendojmë se do të tërheqim punëtorë të të gjitha kategorive të arsimit, ata me diplomë universitare, si dhe ata me diplomë të shkollës së mesme dhe me arsim fillor. Punonjësit e ndërtimit dhe bujqësisë janë aktualisht më të kërkuarit. Presim të ketë interes edhe për në shëndetësi, për shkak të pagave më të larta”, citohet nga gazeta Vesti, Drejtori i Zyrës për IT dhe e-Qeverisje në Qeverinë e Serbisë, Mihailo Jovanoviç.
Punonjësit e parë që do të mbërrijnë në shtator, sipas Vestit, janë tregtarë, mjekë, infermierë, teknikë nga Maqedonia e Veriut dhe nga Shqipëria.
Ata do të nisin punën pa pasur nevojë për dokumenta shtesa, qoftë viza pune, apo leje të posaçme qëndrimi.
Hapja e tregut të punës mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut është bërë në kuadër të nismës Ballkani i Hapur. Serbia shpreson se duke shfrytëzuar këtë nismë të arrijë që të tërheqë investitorët e huaj, që do ta kenë më të lehtë për të gjetur krahun e punës.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar për tregun e lirë të punës mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, shtetasit e të tre vendeve mund të punojnë në këtë hapësirë vetëm duke u regjistruar dhe pajisur me një numër identifikimi të posaçëm për pagesat e kontributeve shoqërore e shëndetësore.
Procedura është e njëjtë për qytetarët e të tre vendeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje