Politike

4 Korriku i SHBA, Rama e Basha urojnë shkurt, Meta letër për Joe Biden

“Njerëzit janë të krijuar të gjithë të barabartë dhe lindin nga Krijuesi me disa të drejta të patjetërsueshme, si e drejta e jetës, e drejta e lirisë dhe e drejta për të qenë të lumtu”. Këto pohime u shkruan 245 vite më parë në Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe prej asaj kohe janë ende parimet që udhëheqin SHBA.

Amerikanët festojnë sot 245-vjetorin e kësaj deklarate, që në Shqipëri u festua pak ditë më parë në një ceremoni të organizuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

“Deklarata e Pavarësisë ishte një deklaratë e së vërtetës, por më shumë një shpallje e aspiratës, dhe që kur ato fjalë tingëlluan për herë të parë në vitin 1776, populli amerikan është përpjekur – ndonjëherë është përpjekur dhe ka luftuar – për ta bërë atë aspiratë të madhe kombëtare më të vërtetë për çdo brez. Lidhja midis së vërtetës dhe aspiratës – midis asaj që ne besojmë, asaj për të cilën ne shpresojmë dhe asaj që ne jemi të gatshëm të punojmë për të arritur – kjo është zemra e Ëndrrës Amerikane. Është gjithashtu ajo që lidh Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë”, deklaroi në fjalën e rastit Ambasadorja Yuri Kim.

Në këtë ceremoni mungoi Kryeministri Edi Rama, që ndodhej në Maqedoninë e Veriut për pjesëmarrjen në Forumin e Prespës, një nismë amerikane që synon promovimin e dialogut mes vendeve të rajonit. Mungoi gjithashtu edhe Presidenti Ilir Meta, që ka pasur një vit të vështirë në raportet e veta ame amerikanët.

Megjithatë, që të dy e uruan SHBA sipas mënyrave të tyre. Edi Rama, që këtë 4 korrik feston edhe 57-vjetorin e lindjes shkroi shkurtimisht në rrjetet sociale.

“Gëzuar 4 korrikun Amerikë”, shkroi duke e shoqëruar urimin me një flamur amerikan dhe një shqiptar.

Presidenti Ilir Meta publikoi në shqip dhe anglisht letrën e urimit që i ka dërguar Presidentit të SHBA, Joe Biden.

“Do të dëshiroja të shfrytëzoja këtë rast që t’Ju ritheksoja vendosmërinë e Shqipërisë për të qëndruar krah për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të mirë të interesit të përbashkët të dy popujve tanë miq, si dhe për të zhvilluar akoma edhe më tej lidhjet tona strategjike!”, shkruan Presidenti ndër të tjera.

Basha e përçoi urimin e tij në anglisht, duke e shoqëruar atë me pjesët e deklaratës së pavarësisë për tre të drejtat themelore që sanksionohen në të.

Më 4 korrik të 1776-s, në Kongresin e Dytë Kontinental të atyre që në atë kohë ishin 13 kolonitë amerikane të Mbretërisë së Anglisë u miratua Deklarata e Pavarësisë. 13 kolonitë u shndërruan më vonë 13 shtetet që formuan SHBA, të cilave më pas ndër vite do t’u bashkangjiteshin edhe shtete të tjera për të mbërritur deri të SHBA e sotme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë