Politike

5 mijë emigrantë aplikuan për të votuar më 25 prill, KQZ “i ndaloi”

Numri i emigrantëve shqiptarë me të drejtë vote që deklaruan vendbanimin e tyre dhe pritën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve një vendimmarrje për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit ishte rreth 5 mijë.

Shifra u bë publike nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, që prezantoi në seancën plenare të kësaj të enjteje raportin e punës së këtij institucioni për vitin 2020.

Celibashi sqaroi se për shkak të kohës së pamjaftueshme që pati në dispozicion, KQZ nuk arriti që të miratonte aktet nënligjore që do të rregullonin të gjithë procesin e votimit të tyre, sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor.

“Është e vërtetë që kodi zgjedhor ka parashikime në lidhje me të drejtën e emigrantëve për të votuar por seti tjetër i rregullave duhet të miratohet nga KQZ. Koha e shkurtër ndikoi në dështimin që edhe në zgjedhjet e 25 prillit të krijonim mundësinë për votën e emigrantëve”, tha ai.

Celibashi tha se procesi i 25 prillit konsiderohet i përfunduar me përmbylljen dhe shqyrtimin e të gjitha pretendimeve për pavlefshmëri të zgjedhjeve.

Në lidhje me zbatimin e dekriminalizimit, Komisioneri tha se për kandidatët e 25 prillit ka përfunduar verifikimi për 72 prej tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë