Komunitet

60 mijë fëmijë të larguar nga Shqipëria? Kërkohet ngritja e një Komisioni Hetimor Parlamentar

Mbi 60.000 fëmijë janë larguar nga Shqipëria dhe kanë kërkuar azil për herë të parë në një vend të BE-së gjatë 10 viteve të fundit. Shqipëria numëron gjithsej në vitin 2021 rreth 656,441 fëmijë nën 18 vjeç. Në bazë të këtyre të dhënave rezulton se rreth 10 për qind e popullsisë së fëmijëve është larguar nga Shqipëria brenda kësaj dekade.

Shifrat dalin nga qendra e mbrojtjes së fëmijëve, CRCA/ECPAT, që citon të dhënat të Eurostat.

“Nuk ka asnjë të dhënë se cila është gjendja e këtyre fëmijëve dhe ku gjenden ata. Nga ana tjetër një largim kaq i konsiderueshëm paraqet një sërë rreziqesh ekonomike, sociale dhe politike, si në planin afat-shkurtër ashtu edhe atë afat-gjatë të zhvillimit të vendit”, thotë organizata.

CRCA/ECPAT deklaron se shteti shqiptar sot nuk di se sa prej tyre kanë përfituar azilin, sa prej tyre u është refuzuar. “Po sipas Eurostat, mbi 82 për qind e fëmijëve që kanë kërkuar azil janë nën moshën 14 vjeç. Rreth 45 për qind e fëmijëve të larguar janë vajza ndërsa 55% janë djem. Të gjitha këto të dhëna e bëjnë fenomenin e largimit të tyre edhe më shqetësues”, vijon raporti.

Raporti thotë se viti 2015 është viti me eksodin më të madh të minorenëve me rreth 18 mijë fëmië, ndërsa në 2020 ky numër ishte 1700. Vendet e preferuara të azil-kërkimit për minorenët shqiptarë janë Franca, Gjermania dhe Belgjika.

Sipas organizatës në fjalë, kërkesat e fëmijëve që vijnë nga Shqipëria gjatë dhjetëvjeçarit të fundit e rendisin vendin tonë në vend të 5-të, pas vendeve si: Afganistani, Siria, Iraku dhe Rusia.

“Të gjitha këto të dhëna janë një “shuplakë e fortë” në fytyrën e çdo qeveritari dhe politikani në Shqipëri dhe një kambanë alarmi për shoqërinë tonë! Ato flasin për një situatë të pashpresë për mijëra fëmijë anëmbanë Shqipërisë, të cilët shohin si zgjidhje vetëm largimin nga vendi i tyre për një jetë më të mirë. Ato flasin për mungesën e investimeve për ushqimin, mirë-rritjen, arsimimin, argëtimin dhe shërbimet shoqërore për fëmijët që nuk kanë me çfarë të jetojnë! Ato tregojnë historinë e dëshpëruar të mijëra fëmijëve e prindërve, të cilët mendojnë se shpëtimin nga mjerimi ku jetojnë mund ta gjejnë edhe te trafikimi, skllavëria apo shfrytëzimi”, thotë CRCA/ECPAT.

Organizata ngre disa pyetje për Qeverinë, institucionet shtetërore dhe gjithë klasën politike e vendimmarrëse: “Ku janë këta fëmijë? A janë të gjallë apo kanë vdekur? A janë skllavëruar ata për të shitur drogë apo kryer punë të paligjshme? A po ndjekin ata shkollën në një vend të BE-së apo janë duke lypur apo duke u shfrytëzuar seksualisht për të mbijetuar? Kush mban përgjegjësi për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria?”

Në fund, CRCA/ECPAT thotë se do të kërkojë nga Kuvendi i ri ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të hetuar mbi fatin e këtyre fëmijëve.

“Nga ana tjetër ne mendojmë se këto shifra janë një thirrje për Qeverinë e re, që do të formohet pas pak ditesh, për t’i kthyer përfundimisht sytë nga fëmijët! Vetëm investimet serioze në arsim, ushqimin dhe sigurinë e fëmijëve, argëtimin dhe shërbimet e mbrojtjes shoqërore, do të bënin të mundur që fëmijët të qendrojnë dhe investojnë për një jetë më të mirë në Shqipëri”, thotë Qendra.

Në lidhje me këtë raport ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta, që gjithashtu kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar nga Kuvendi i ri.

“Thellësisht i shqetësuar për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria, veçanërisht për faktin se destinacioni i tyre final është i paqartë, e mbështes kërkesën e CRCA/ECPAT dhe inkurajoj ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, me hapjen e Kuvendit të ri, për të hetuar gjendjen dhe vendndodhjen e tyre, analizuar arsyet dhe përgjegjësit, si dhe rekomanduar masat efikase me qëllim ndërtimin e një strategjie konkrete shtetërore për ndalimin e këtij fenomeni të rrezikshëm”, shkruan Presidenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë