Vetëm pak ditë pas rivalit të tij të 15 viteve të fundit, Lionel Mesi arriti shifrën e 600 golave në karrierë me dygolëshin ndaj Liverpulit në gjysmëfinalen e parë të Champions League. Kristiano Ronaldo e arriti shifrën rekord në një ndeshje shumë më pak të rëndësishme, atë në kampionat ndaj Interit, ndërkohë që Juventusi e kishte siguruar titullin më parë. Mesi ka shënuar ditët e fundit 3 gola me shumë peshë: goli numër 598 i dha titullin kampion Barcelonës, që për argjentinasin ishte i 10-i në karrierë, goli numër 599 përmbysi rrjedhën e ndeshjes me Liverpulin, ku Barcelona po vuante jo pak dhe goli numër 600 ishte “qershia mbi tortë”. Finalja e Championsit tashmë është shumë afër.
Në karrierën e gjatë me Barcelonën, Mesi ka qenë gjithmonë vendimtar, së pari kur makineria perfekte drejtohej nga mentori i tij Pep Guardiola, më pas kur në stol u ul Luis Enrike, i cili e modifikoi modulin “tiqui-taka” me më shumë vertikalizime, si dhe tani me pragmatistin Valverde, që në ndeshjen e fundit aktivizoi një mbrojtës krahu (Semedo) në vend të një sulmuesi (Koutinjo), duke kaluar në skemën e vjetër 4-4-2, si për të treguar se ka shumë mënyra për të fituar. Ndeshja Barcelona-Liverpul pati ritëm të jashtëzakonshëm, me aksione sa në njërin krah në tjetrin. Shpejtësi dhe agresivitet, shpërdorim nga Liverpuli dhe efikasitet nga Barcelona. Anglezët dhanë maksimumin dhe portieri Ter Shtegen bëri disa pritje vendimtare.

Po Mesi? Ndonjë shkëndijë në fillimin e ndeshjes dhe ndonjë depërtim personal. Si ai aktori protagonist që dëshiron të qëndrojë pas kuintave. Dhe ja ku vjen momenti i tij! Pikërisht kur Barcelona po fikej gradualisht, u ndez drita. Slalom dhe asist për Serxhi Roberton në rastin e traversës së Suarez, më pas Mesi si rrufe hyn në portë me gjithë top. “Camp Nou” është në këmbët e tij, ashtu si dhe të gjithë ata që e dashurojnë futbollin. Leo e ndjen se atmosfera është elektrizuese dhe se populli i tij pret një tjetër magji, që nuk vonon. Goditje dënimi dhe e majta e tij e çon topin aty ku kryqëzohen shtyllat dhe Alisoni i shkretë, edhe pse “fluturon”, nuk ka çfarë të bëjë. Vetëm Mesi dhe në fund, gjithçka e mirë që bëri Liverpuli, u fshi nga magjitë e gjeniut. Një hap i sigurt drejt finales së Championsit dhe tashmë nuk mund të evitohet fakti se “Topi i artë” i 6-të në karrierë është shumë pranë. Rivali i tij historik nuk është më, por nuk ka rëndësi. Është Mesi dhe futbolli i tij, që u pëlqen të gjithëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje