Presidenti Ilir Meta ka dhënë një mesazh me rastin e 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë në Shqipëri. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, ai shprehet se Lëvizja Studentore 28 vite më parë frymëzoi ato minuta e orë vendimtare për të kthyer në Shqipëri lirinë e munguar.
Kreu i shtetit shkruan se inkurajon dhe mbështet rininë e sotme, veçanërisht studentët. Kujtojmë që sot pas 28 vitesh janë pikërisht studentët që protestojnë për të katërtën ditë radhazi kundër tarifave universitare.
“Mirënjohje të gjithë studentëve, të rejave e të rinjve, të cilët 28 vite më parë vërshuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës, me thirrjen që kumbonte nga gjokset e tyre rinore ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’ dhe ‘Liri-Demokraci’, për të shndërruar 8 Dhjetorin në Ditën e tyre, Ditën e Rinisë, Ditën e Lirisë, Ditën e Europës.
Kujtojmë me nderim veprën e Azem Hajdarit, liderit të Lëvizjes Studentore, i cili me guxim, kurajë e shpirt sakrifice frymëzoi ato minuta e orë vendimtare për mijëra studentë, të rinj, pedagogë e intelektualë, për të kthyer në Shqipëri lirinë e munguar.
Jehona e thirrjeve ‘Liri-Demokraci’ dhe e ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’ të 8 dhjetorit 1990 është ende një aspiratë, jo plotësisht e realizuar.
Inkurajoj dhe mbështes rininë e sotme, veçanërisht studentët, të cilët me shpirtin e tyre të lirë, energjinë, guximin e kurajën e pashembullt të marrin aktivisht pjesë në proceset demokratike për europianizimin e plotë të vendit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt të tyre në Shqipëri”, shkruan kreu i shtetit në “Facebook”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje