Politike

851 të infektuar, Kosova nis sot lehtësimin e masave

Ashtu si Shqipëria, edhe Kosova ka hyrë sot në fazën e parë të lehtësimit të masave të izolimit për të frenuar përhapjen e epidemisë së koronavirusit.

Sipas vendimit të ministrisë së Shëndetësisë, duke filluar nga sot në Kosovë hapen dyert per bizneset e ndërtimit, pasurive të paluajtshme, tregtisë së automjeteve, tregtia me pakicë, mobilieritë si dhe zyrat e konsulencës. Po ashtu, këtë të hënë fillon edhe zgjatja e orarit të lëvizjeve të qytetarëve.

Orari i qarkullimit rregullohet sipas shifrës së parafundit të numrin personal të letërnjoftimit. Me orarin e ri, qytetarët kanë të drejtë të qarkullojnë 90 minuta paradite dhe 90 minuta pasdite.

Lehtësimi i masave në Kosovë siç ka thënë më herë ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, do të zhvillohet në 3 faza.

Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor. Ajo parashikon hapjen e bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapitë, parukeritë, masazhet, restorantet, transporti urban dhe ndër-urban dhe call centerat.

Faza e tretë, ndërkohë hyn në fuqi më 2 qershor dh nis me provimet në arsimin e lartë, testet e maturës hapjen e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive të aktiviteteve sportive.

Vendimit për lehtësim të masave është marrë pas rënies së numrit të rasteve të infektuar me COVID 19. Bazuar në të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë, ka arritur në 851 të infektuar, 25 të vdekur dhe 381 të shëruar.

Kosova mori masat e para më 13 mars, menjëherë pas zbulimit së rasteve të para me koronavirus.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë