Politike

9 mjekë të infektuar, Basha i kërkon Qeverisë fonde për mbrojtjen e tyre

Lulzim Basha e cilëson të trishtueshëm lajmin që një tjetër qytetar ka humbur jetën për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga koronavirusi i ri dhe me këtë rast përsërit thirrjen drejtuar Qeverisë që të pajisë personelin mjekësor me të gjitha mjetet e nevojshme mbrojtëse.

Thirrja e kreut të PD-së mori shkas nga konfirmimi i 9 rasteve të infektuarish nga radhët e personelit mjekësor me COVID-19. Veç kësaj, Basha kërkon që të krijohen ambiente pritëse për persona të dyshuar me koronavirus në të gjitha spitalet rajonale të vendit.

“Do ta përsëris edhe shumë herë të tjera pa u lodhur thirrjen ndaj qeverisë që të pajisë personelin shëndetësor me të gjitha mjetet e duhura mbrojtëse, si dhe të marrë urgjentisht masat për të ngritur ambiente të veçanta në spitalet rajonale për të pritur dhe trajtuar personat që kane shenja, apo dyshime se mund të jenë prekur nga COVID 19. Kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur stafin mjekësor kaq të domosdoshëm në këtë situatë të rënduar, por dhe pacientët e tjerë që kurohen në spitale”, deklaroi ai.

Mjekët dhe infermierët janë mburoja jonë, vijon Basha. “Janë garancia për ta kaluar me sa më pak dhimbje këtë situatë tejet kritike. Qeveria duhet që në mënyrë emergjente të verë në dispozicion fonde për të blerë pajisje mjekësore dhe tamponë të nevojshëm për të kryer ekzaminimet për COVID 19”, shton kreu i PD.

Basha kërkon gjithashtu edhe më shumë teste si një mekanizëm që lehtëson kufizimin e përhapjes së virusit dhe trajtimit të të prekurve prej tij.

Për qytetarët, Lulzim Basha përsëriti thirrjen që të zbatojnë këshillat e mjekëve dhe specialistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë