Lajme

Rigjykim për dosjen “Hajdari”. Berisha i pari në listë për dëshmitar

Gjykata e Apelit ka pranuar sot kërkesën e Izet Haxhisë, ish-truproja e Sali Berishës i akuzuar për vrasjen e liderit të dhjetorit, Azem Hajdarit.
Gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën e Izet Haxhisë për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë me trupë tjetër gjykuese.
Avokati i tij Bashkim Nikolla deklaroi se në seancën e radhës do të paraqiten provat e reja për të provuar pafajësinë e tij lidhur me akuzat për vrasjen e Azem Hajdarit dhe do të thirren dëshmitarë ku i pari në listë do të jetë ish-presidenti Berisha. ”Më në fund pas një kohe të gjatë vendoset një e drejtë proceduriale në vendin e duhur. Gjykata në vendimin e sotëm është në përputhje me konventën, që do të thotë se është e drejta e çdo të gjykuari të jetë në seancë. Ky është një vendim shumë i drejtë. Ky vendim e rikthen çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Kemi siguruar të drejtën të dëgjohemi. Provat janë materiale, tabulante dhe dëshmitarë. Me të gjitha këto ne do të provojmë pafajësinë që i është faturuar të përfaqësuarit prej meje. Në krye të listës së dëshmitarëve që do të thirren është Sali Berisha”, është shprehur avokati Bashkim Nikolla.
Në vendimin e vitit 2012 Izet Haxhia ishte dënuar me 25 vjet burg, por sipas Apelit, Haxhisë i është mohuar e drejta për t’u mbrojtur dhe për këtë arsye çmon se vendimi duhet prishur dhe kthyer për rigjykim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë