Kryeministri Edi Rama duket se është kthyer i zhgënjyer nga Brukseli.
Në një lidhje direkte nga zyra në Kryeministri, Rama nuk ka shprehur optimizëm, edhe pse thotë se fjala e fundit nuk është thënë ende, dhe se kanë mbetur disa orë derisa Këshilli Europian të marrë vendimin.
“Nuk është problem i yni,” tha Rama, duke shpjeguar se sipas tij Europa është e ndarë në dy kampe, shtetet që kërkojnë zgjerimin dhe shtete si Franca që kërkojnë reformimin e procesit tradicional të zgjerimit.
Kryeministri Rama thotë se për çështjen e azilkërkuesve ka folur drejtpërdrejt me presidentin francez Emmanuel Macron, pavarësisht se ky i fundit e përmendi si “pengëse” për hapjen e negociatave.
“E kam bërë unë këtë debat drejtpërdrejt më Macron. Çështja e azilantëve, e para nuk lidhet fare liberalizimi i vizave me negociatat, ia kam thënë dhe atij. Bashkimi europian ka liberalizuar lëvizjen e lirë dhe me vendet e Amerikës Latine”, tha Rama në një emision mbrëmjeje.
Më tej, kryeministri Rama shtoi se liberalizimi i vizave dhe negociatat nuk kanë lidhje fare me numrin e lartë të azilkërkuesve në Francë.
“Kjo nuk ka lidhje fare me liberalizimin e vizave dhe negociatat. Çështja e azilantëve lidhet me regjimin e trajtimit të atyre që kërkojnë azil. Shqiptarët nuk kërkojnë azil politik por kërkojnë azil politik për çështje ekonomike.
Këtë problem e kishte Gjermania, ndryshoi legjislacionin dhe numri i azilkërkuesve ka rënë në numra drastik. Regjimi i azilit i Francës është ndryshe ndaj dhe numri është më i lartë”, u shpeh kryeministri.
“Gjermania dhe një front i gjerë që sot dhe tani po mbron idenë që duhen çelur negociatat, dhe nga ana tjetër Franca dhe dy apo tre vende pas saj që mbrojnë idenë se nuk duhet vazhduar më tutje në formën tradicionale por duhet një qasje e re. Jemi në kushtet kur as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut, nuk kanë asnjë lidhje me atë që po debatohet tani në tryezën e KE. Fjala e fundit akoma nuk është thënë, do të merret nesër edhe pse qëndrimi i presidentit francez nuk është një qëndrim që ndez shpresën ditën e sotme”, thotë Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje