Futboll

Perandori prej 4 miliardë eurosh, një tjetër amerikan kërkon Romën

Dan Friedkin ia ka vënë syrin Romës. Sipërmarrësi i njohur amerikan është i interesuar për të blerë klubin italian nga Xhejms Palota dhe në vazhdim bashkëpunëtorët e tij do të marrin informacion të plotë në lidhje me detajet e një marrëveshjeje të mundshme.

Kolosi amerikan mund ta blejë Romën, ose fillimisht mund të hyjë në klub si investitor, pa pasur të drejtën e vendimmarrjes, sipas asaj që shkruan “Corriere dello Sport”. Dan Friedkin, 54 vjeç, bashkë me të atin Thomas, i ndarë nga jeta në 2017-ën, e ka ngritur fatin e tij mbi tregtinë e makinave. Dan është kreu i “The Friedkin Group”, që prej dy vjetësh “Forbes” e vlerëson pasurinë e tij në 4.1 miliardë euro. Një “mal” me euro, falë ekskluzivitetit si distributor i “Toyota”-s në pesë shtete amerikane (Texas, Arkansas, Louisiana, Mississipi e Oklahoma). Në total kompania ka 154 konçesionarë. Bëhet fjalë për një grup prej 12 kompanish, që merren edhe me biznesin e udhëtimeve luksoze dhe me kinemanë.

Biznesmeni amerikan, Dan Friedkin. Gazeta Si, 29 tetor 2019

Dan ka trashëguar nga babai dhe gjyshi pasionin për aeronautikën. Në vitin 2017 provoi të blinte Houston Rockets në basketbollin amerikan, por këtë gjë e bëri më parë Tilman Fertita. Tani Dan Friedkin i ka hedhur sytë te futbolli dhe konkretisht në Itali, ku kërkon të blejë një nga klubet më të njohur. Roma aktualisht është pronë e biznesmenit italo-amerikan Xhejms Palota, i cili pret të mësojë ofertën e Friedkin. Pasuria e këtij të fundit i bën romanistët të ëndërrojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë