Futboll

Koret raciste ndaj Anglisë, UEFA përkëdhel Bullgarinë

Një ndeshje me dyer të mbyllura. Ky është dënimi i dhënë nga UEFA për Bullgarinë për koret raciste dhe përshëndetjet naziste gjatë ndeshjes me Anglinë, e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2020. UEFA ka marrë vendimin dy javë pas asaj ndeshjeje të luajtur në “Vasil Levski” të Sofjes. Bie poshtë kështu hipoteza e ngritur fillimisht për përjashtimin e kombëtares bullgare nga kompeticioni. Një dënim i butë nga “qeveria” e futbollit europian, edhe pse bëhet fjalë për dy akuza shumë të rënda, siç janë racizmi dhe nazizmi.

Bullgaria do ta zhvillojë ndeshjen e 17 nëntorit kundër Republikës Çeke pa tifozë. Ka edhe një paralajmërim për Bullgarinë, që do të thotë se nëse do të ketë përsëritje të këtyre incidenteve, automatikisht dënohet edhe një ndeshje tjetër pa tifozë. Po ashtu, Federata Bullgare e Futbollit është gjobitur me 85.000 euro. Gjatë ndeshjes Bullgari-Angli, arbitri u detyrua ta ndërpriste ndeshjen dy herë, sepse ndaj lojtarëve me ngjyrë të ekipit mik pati kore raciste. Ndeshja u fitua 0-6 nga anglezët.

Përshëndetjet naziste të tifozëve bullgarë gjatë ndeshjes me Anglinë. Gazeta Si, 30 tetor 2019

Pas ndeshjes pati arrestime tifozësh, ndërsa trajneri i Bullgarisë dha dorëheqjen. Legjenda bullgare e futbollit, Hristo Stoiçkov, u tregua shumë i ashpër dhe kërkoi dënim maksimal për Bullgarinë, përjashtimin e saj nga ndeshjet kualifikuese. Tema e racizmit është ndër më të diskutuarat aktualisht, ku shumë personalitete të futbollit gjykojnë se masat janë shumë të buta. I fundit ishte Jaja Ture, i cili akuzoi FIFA-n dhe UEFA-n se nuk duan t’ia dinë fare për racizmin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë